Aktivitetet

E premte, 4 mars 2022

Takim i Kryetarit Xhaferi me Kryetarin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, gjatë vizitës zyrtare në Republikën e Kosovës, sot në Prishtinë, ka realizuar takim me Kryetarin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Delegacioni përbëhet nga deputetët Bejxhan Iljaz, Beti Stamenkoska Trajkoska dhe Izet Mexhiti, anëtarë të Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Xhaferi, vlerësoi se takimi është konfirmim i përpjekjeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës për thellimin e komunikimit bilateral dhe avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha fushat me interes të përbashkët, me qëllim për të forcuar më tej marrëdhëniet e mira fqinjësore, miqësinë dhe afërsinë mes qytetarëve të të dyja vendeve. Ai theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut në parim i mbështet aspiratat euroatlantike të Republikës së Kosovës dhe në vazhdimësi shpreh gatishmërinë për transferimin e njohurive dhe përvojave të fituara, si në rrugën drejt BE-së, ashtu edhe në aspektin e integrimit në Aleancën e NATO-s. Sipas Xhaferit, anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në këto dy organizata është garanci për sigurinë, stabilizimin e mëtejshëm dhe prosperitetin e rajonit. Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s, kontribuon drejtpërdrejt me pjesëmarrjen e pjesëtarëve të Armatës në misionin e KFOR-it në Republikën e Kosovës.

 

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shprehu kënaqësinë që bashkëpunimi ndërmjet të dyja vendeve realizohet përmes dialogut të hapur politik, të bazuar në respektimin dhe vlerësimin reciprok, si dhe bashkëpunimin intensiv ekonomik dhe tregtar, trend ky që pritet të vazhdojë me intensitet të pazvogëluar në të ardhmen. Ai theksoi se Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj kanë treguar përkushtim të fortë ndaj vlerave demokratike dhe janë të përkushtuar fort për integrimin e plotë euroatlantik. Duke shprehur shqetësimin për situatën e sigurisë në rajon, veçanërisht pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse kundër Ukrainës, kryeministri Kurti tha se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe BE duhet të trajtohet me seriozitetin më të madh.

Xhaferi dhe Kurti vlerësuan se mbledhja e parë e përbashkët ndërmjet Qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, padyshim ishte shtysë pozitive për intensifikimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe ngritjen e interesave të përbashkëta për bashkëpunim më intensiv rajonal. Ata shprehën besimin se marrëveshjet dhe memorandumet e nënshkruara do të rezultojnë me projekte konkrete që synojnë lidhje më të mirë infrastrukturore mes të dyja vendeve, lehtësimin dhe avancimin e bashkëpunimit dhe komunikimit ekonomik, bashkëpunimin në fushën e energjetikës, turizmit, kulturës, diasporës etj.

Kryetari i Qeverisë së Kosovës vlerësoi se gjashtë muaj pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve duhet të vlerësohet zbatimi i tyre, përkatësisht të merret parasysh niveli i zbatimit brenda grupeve të punës së të dyja vendeve.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Xhaferi, theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut ka qëndrim afirmativ për aderimin e Republikës së Kosovës në të gjitha iniciativat dhe forumet multilaterale dhe rajonale dhe do të vazhdojë ta mbështesë në këtë plan.

Lidhur me situatën aktuale në Ukrainë, Kryetari Xhaferi informoi se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar Deklaratën për dënimin e sulmeve ushtarake që e rrezikojnë integritetin dhe sovranitetin territorial të Ukrainës, e cila ndër të tjera, kërkon që institucionet kompetente të jenë në koordinim të afërt me vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së në lidhje me angazhimin e përbashkët në mbështetjen e përpjekjeve diplomatike për ndërprerjen e menjëhershme dhe të pakusht të veprimeve ushtarake në territorin e Ukrainës.

Në fund të takimit, bashkëbiseduesit shprehën bindjen se dialogu dhe bashkëpunimi politik do të vazhdojë me intensitet të pazvogëluar, me theks të veçantë në thellimin e bashkëpunimit ekonomik, lidhjes infrastrukturore dhe integrimeve euroatlantike.

 

Video:https://www.youtube.com/watch?v=-6X6h_bOGII

 
Click