Aktivitetet

E premte, 4 mars 2022

Takim i Kryetarit Xhaferi me liderët politikë në Republikën e Kosovës

Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Kosovës, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në orët e pasdites realizoi takime individuale me liderët e partive politike opozitare të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës. 

Në takimin me z. Memli Krasniqin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherazi edhe partisë më të madhe opozitare në Kuvendin kosovar, u bë fjalë për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, a para së gjithash, për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit ndër-parlamentar. Biseduan edhe për situatën aktuale në vend, në rajon dhe Evropë  dhe bashkërisht e konstatuan dënimin e agresionit rus në Ukrainë, për çka në të dy Kuvendet u miratuan Deklarata konkrete.

Kryetari Krasniqi falënderoi për mbështetjen që Kryetari Xhaferi dhe Republika e Maqedonisë së Veriut ia jep Kosovës, sidomos në arritjen e qëllimit për anëtarësim në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare.

Në takimin me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhikun, Kryetari Xhaferi u njoftua me qëndrimet e partisë politike më të vjetër dhe njëherazi më të madhe në Kosovë, e cila për momentin ka 15 deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kryetari Xhaferi konstatoi se vizita e tij zyrtare në Republikën e Kosovës, gjithsesi nuk do të ishte e kompletuar nëse nuk takohej edhe me liderët e partive opozitare, diçka që e përsëriti gjatë të tria takimeve që i kishte në orët e pasdites.

Kryetari Abdixhiku e potencoi nevojën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Aleancën e NATO-s, veçanërisht tani në këtë moment të ri politik, duke u referuar në sigurinë rajonale që e ofron ky anëtarësim, me ç’rast falënderoi për mbështetjen që vendet e rajonit, anëtare të NATO-s e japin edhe në drejtim të aspiratave eurointegruese të Republikës së Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi takim edhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj. Në takim, Kryetari Xhaferi e theksoi nevojën për formimin sa më të shpejtë në Kuvendin e Republikës së Kosovës të Grupit Parlamentar të Bashkëpunimit me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që do i japë një dimension të ri dhe më të pasur bashkëpunimit ndërparlamentar.

Kryetari Haradinaj, foli për aktivitetet e tetë deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, a e theksoi edhe rëndësinë  dhe nevojën për ndërlidhjen sa më të shpejtë të Korridorit 8, projektit infrastrukturor i cili do të jetë në dobi të madhe në të gjitha aspektet e bashkëpunimit rajonal. 

Click