Aktivitetet

E martë, 1 shtator 2020

Takim i Kryetarit Xhaferi me SH.S. Rejçell Gallovej, ambasadore e Mbretërisë së Bashkuar 

Sot Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, realizoi takim me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sh. S. Rejçell Gallovej. Takimi ishte me rastin e rizgjedhjes së Kryetarit Xhaferi në funksionin e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut,  si edhe zgjedhjen e Qeverisë së re, me çka vendoset funksionaliteti i plotë i institucioneve më të larta shtetërore në vend. 

Kryetari Xhaferi i potencoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, për çka ndau pritjen se do të vazhdojnë me dinamikë të zmadhuar edhe në periudhën e ardhshme. Informoi se në periudhën e ardhshme pritet formimi i komisioneve, delegacioneve dhe grupeve parlamentare për bashkëpunim bilateral, si edhe punë e zmadhuar e përbashkët si e deputetëve të shumicës qeveritare, ashtu edhe e deputetëve në opozitë, sidomos në vigjilje të fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian. Njëherazi, të ballafaquar me sfidat e pandemisë me Kovid-19, të gjithë bashkë do të duhet me konsensus të ndërtojnë bazë me rregullore për mundësinë e punës së Kuvendit nga largësia, posaçërisht për votimin nga largësia, për arsye se pasiguria me pandeminë në periudhën e ardhshme vjeshtore dhe dimërore është e madhe dhe kërkon vënie në dispozicion të të gjitha kapaciteteve për ballafaqimin me këto rreziqe, si edhe nxjerrjen e rregullave të përkohshme për punën e Kuvendit në gjendje të jashtëzakonshme. 

Kryetari Xhaferi, duke folur për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, theksoi se Kuvendi mbetet në dispozicion për ratifikimin e shpejtë të marrëveshjeve të rishikuara tregtare dhe ekonomike ndërmjet shtetit tonë dhe Mbretërisë së Bashkuar, që të mundet këmbimi i jashtëm-tregtar të zhvillohet në mënyrë të papenguar. Në kontekst të bashkëpunimit me NATO-n, Republika e Maqedonisë së Veriut si vendi - anëtar më i ri, do të bashkëpunojë me kolegët britanikë në bazë të barabartë, duke kontribuuar në stabilitetin kolektiv dhe sigurinë globale. Kryetari i Kuvendit e vlerësoi si mjaft të suksesshëm bashkëpunimin e deritanishëm me Fondacionin për Demokraci Vestminster, me ç’rast theksoi se të gjitha projektet e filluara vazhdojnë edhe më tej me dinamikë të pazvogëluar.

Ambasadorja Gallovej informonte për kushtet e reja të punës në Parlamentin britanik, të imponuara nga rreziqet nga pandemia me Kovid -19, dhe mundësia që deputetët britanikë të punojnë dhe të votojnë prej largësie. Kryetari Xhaferi theksoi se fokusi i Kuvendit të Republikës së Maqedonislë së Veriut do të jetë Strategjia e negocimit me Bashkimin Evropian e cila pritet të përpilohet nga Qeveria, si edhe masat ekonomike dhe sistemi arsimor në kohë të KOVID -19. Ambasadorja Gallovej ofroi ndihmë konkrete dhe mbështetje në këtë fushë, në drejtim të ndarjes dhe shfrytëzimit të përvojave. Shprehu pritje pozitive nga realizimi i mëtejshëm i projekteve ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Fondacionit për Demokraci Vestminster. Njëherazi, e theksoi mbështetjen e Kuvendit dhe Qeverisë së re, duke e potencuar nevojën për ndërtimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të mira dhe korrekte në relacionin pushtet – opozitë. 
Bashkëbiseduesit këmbyen mendime rreth ndodhive aktuale politike në shtet, aktiviteteve të Kuvendit dhe Qeverisë në kontekst të fokusimit ndaj sfidave nga pandemia dhe përshtatjen e jetës së qytetarëve ndaj gjendjes së re, dialogut pushtet – opozitë si imperativ kryesor i demokracisë, mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe ndarjes së përvojave të përbashkëta nga politika e jashtme dhe diplomacia parlamentare. 






Click