Aktivitetet

E martë, 28 shtator 2021 

Takim i Kryetarit Xhaferi me Xhaferoviqin            

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, takimin e sotëm me anëtarin e kryesisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, e filloi duke i drejtuar urime me rastin e 28 Shtatorit - Ditës ndërkombëtare të boshnjakëve, mysafirëve të pranishëm dhe të gjithë pjesëtarëve të bashkësisë boshnjake në vend.

Duke Ju uruar bashkëbiseduesve vizitë pune të suksesshme, Kryetari Xhaferi konstatoi se me Bosnjë dhe Hercegovinën jemi dy vende miqësore që kanë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale, pa çështje të hapura dhe shprehu bindjen e vet personale se edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdohet në drejtimin e  njëjtë të ndërtimit të marrëdhënieve të ndërsjella. Ai shprehu gatishmëri që gjatë mandatit të tij të nxisë dhe mbështesë bashkëpunimin parlamentar të dy vendeve në të gjitha nivelet dhe në këtë kontekst, e riafirmoi ftesën e tij ndaj kolegëve të vet, kryesuesve të Dhomës Përfaqësuese dhe Dhomës së Popujve, të vizitojnë Republikën e Maqedonisë së Veriut në mundësinë e parë. 

Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi për shkallën e zhvillimit të të drejtave të bashkësisë boshnjake në vend dhe rëndësinë e zhvillimit të atyre të drejtave për të gjithë pjesëtarët e bashkësive joshumicë. Në vazhdim të bisedës, e potencoi rëndësinë dhe domethënien e marrëveshjeve të nënshkruara deri tani ndërmjet dy vendeve. Njëherazi, shprehu mbështetje për Bosnjë dhe Hercegovinën në rrugën e tyre eurointegruese.   

Anëtari i kryesisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferiviqi, shprehu kënaqësinë personale për vizitën e sotme në vendin tonë, sidomos për mundësinë për të qenë përsëri në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas herës së tij të fundit në vitin 2004, dhe theksoi se për të, diplomacia parlamentare luan rol tejet të rëndësishëm në raportet ndërmjet shteteve sepse hap shumë dyer dhe ndërton shumë miqësi. Ai u pajtua plotësisht me Kryetarin Xhaferi se në periudhën e ardhshme duhet të gjithë bashkë të punojmë akoma më shumë dhe të intensifikojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat, si bashkëpunimin parlamentar, ashtu edhe atë ekonomik mbi të gjitha. G. Xhaferoviqi theksoi se fuqia e argumenteve duhet të na çojë përpara dhe personalisht është i bindur se koha e konflikteve, luftërave dhe pastrimeve etnike ka përfunduar. Sa i takon të drejtave të bashkësisë boshnjake këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shprehu kënaqësi për qasjen e civilizuar dhe korrekte që si shtet e kultivojmë ndaj bashkësive që jetojnë këtu. 

Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se komunikimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë do të vazhdojë si edhe deri tani, të zhvillohet me një intensitet të pazvogëluar.    

Click