Aktivitete

E premte, 30 korrik 2021

Takim i Kryetarit Xhaferi me znj. Gërvalla Shvarc                                           

Në takimin e sotëm të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, me zëvendëskryeministren e dytë dhe ministre e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla Shvarc, u shkëmbyen më shumë mendime dhe qëndrime fokusi i të cilëve kishte të bëjë me vendosjen dhe intensifikimin e marrëdhënieve të ndërsjella politike dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve.

Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi për zhvillimin e marrëdhënieve të deritanishme bilaterale me Republikën e Kosovës, të cilat para së gjithash karakterizohen me mbështetje dhe respekt të ndërsjellë, sidomos e theksoi bashkëpunimin parlamentar të deritanishëm të ndërsjellë, veçanërisht në planin multilateral dhe shprehu bindjen se në periudhën e ardhshme akoma më fuqishëm do të punohet në drejtim të përforcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy palëve.

Kryetari Xhaferi e informoi ministren Shvarc për përpjekjet e deritanishme nga ana jonë për tejkalimin e çështjes me Republikën e Bullgarisë në drejtim të fillimit të negociatave aderuese me Bashkimin Evropian dhe theksoi se çështjet e identitetit nuk duhet të jenë pengesë për avancimin e mëtejmë të rrugëtimit tonë eurointegrues dhe potencoi se shpreson që në periudhën kohore sa më të shkurtër edhe Republika e Maqedonisë së Veriut edhe Republika e Shqipërisë ti fillojnë negociatat me BE-në.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministre e dytë e Republikës së Kosovës, znj. Gërvalla Shvarc shprehu kënaqësi për këtë vizitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sidomos të Shkupit dhe theksoi se vizitat në Shkup për të janë shumë më tepër se vetëm vizita zyrtare, respektivisht, për Shkupin e lidhin kujtime në drejtim të familjes së saj të ngushtë. Ajo u pajtua me Kryetarin Xhaferi në drejtim të marrëdhënieve të deritanishme miqësore të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve fqinjësore të cilat janë shumë më tepër se vetëm vende fqinjësore, nuk kanë çështje të hapura dhe kanë edhe shumë hapësirë për thellimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe çdo lloj tjetër i bashkëpunimit në çdo fushë.

"Qëllimi ynë, tha ministrja Shvarc, do të jetë të lehtësojmë dhe përmirësojmë jetën e qytetarëve tanë në më shumë segmente, pikërisht për këtë duhet të bashkëpunojmë në mënyrë intensive si shtete miqësore dhe në këtë drejtim, pres që në kohën sa më të shpejtë të mbahet edhe seanca e përbashkët qeveritare ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës.

Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se komunikimi i ndërsjellë dhe bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë me intensitet të zmadhuar. 

 
a

Na ndiqni në:

Ueb faqja e Kuvendi përdor biskotat (cookies).

Biskotat (cookies) përdoren për të përmirësuar përvojën Tuaj të përdoruesit.