Aktivitetet

E enjte, 11 shkurt 2021

Takim informativ i Kryetarit Xhaferi për Strategjinë Zhvillimore Nacionale 2021-2041

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me zëvendëskryetarin e Qeverisë të ngarkuar për Çështjet Ekonomike, koordinimin e resorëve dhe investimeve ekonomike, Fatmir Bitiqi, me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, Sh.S. Rejçell Gallovej, me përfaqësuesen e përhershme të KB, Rosana Duxhak dhe shefen e Zyrës së UNDP-së, Narine Sahakjan.

Takimi ishte me qëllim të informimit të Kryetarit të Kuvendit me procesin e krijimit të Strategjisë Zhvillimore Nacionale 2021-2041. Faza e parë e përpilimit të këtij dokumenti strategjik do të financohet nga Ambasada Britanike në Shkup, me mbështetje teknike nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara përmes UNDP-së, a do të rezultojë me metodologji dhe strukturë operative e cila do të zbatohet gjatë zhvillimit të strategjisë, që do të paraqesë fazën e dytë të projektit.

Në fjalën e vet hyrëse, zëvendëskryeministri Bitiqi theksoi se për një strategji të këtillë flitet në 25 vitet e fundit, ndërsa për krijimin e saj kryesorë janë konsensusi dhe inkluziviteti.  “Kjo strategji zhvillimore nacionale duhet të vazhdojë të jetojë, pa dallim se kush është në pushtet. Ky do të jetë udhërrëfyesi jonë për atë se ku dhe si do të zhvillohet vendi në 20 vitet e ardhshme, prandaj, me rëndësi është të arrijmë konsensus, kjo është e rëndësishme dhe në dobi të shtetit dhe të gjithë bashkëqytetarëve tanë,” tha ai.

Ambasadorja Gallovej i theksoi përfitimet nga krijimi i një strategjie të këtillë afatgjate. “Të gjitha vendet që u futën në këtë proces, tani më i shohin përfitimet nga krijimi i një plani për zhvillim i cili mundëson konsensus gjatë marrjes së vendimeve dhe ligjeve në drejtim të mbështetjes së strategjisë afatgjate.”  Përfaqësuesja e përhershme e KB-së, Rosana Duxhak dhe shefja e Zyrës së UNDP-së Narine Sahakjan e theksuan kompleksitetin e vetë procesit i cili që të jetë i qëndrueshëm duhet të mbështetet mbi dy parime të rëndësishme - të miratohet me konsensus dhe të jetë fleksibël, që të mund të përshtatet ndaj sfidave dhe ndryshimeve që i sjell koha e re. 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, e mbështeti nismën, duke e konfirmuar rëndësinë e saj për mirëqenien e shtetit në afat të gjatë. “Ky do të jetë një udhëtim i qartë, mbi baza të qarta dhe precize me përfshirje të gjerë. Të gjithë duhet të angazhohemi që kjo strategji zhvillimore afatgjate ti përfshijë të gjitha karakteristikat dhe nevojat e vendit”, përfundoi Xhaferi.

Ky ishte takimi i parë i punës që ka të bëjë me procesin e informimit të faktorëve kryesorë politikë, të institucioneve dhe organizatave, që duhet të jenë të inkuadruara në procesin e krijimit të Strategjisë Zhvillimore Nacionale afatgjate. Nëpërmjet konsultimit të gjerë me të gjithë palët e interesuara do të mundësohet që Strategjia Nacionale Zhvillimore të reflektojë konsensus ndër-gjeneratash, gjinor, ndëretnik, ndërpartiak dhe afatgjatë për prioritetet e shtetit, me qëllim që të sigurojë zhvillim inkluziv, të gjelbër dhe të qëndrueshëm për të gjithë, a sidomos për kategoritë e lëndueshme të njerëzve. 





Click