Aktivitetet

E hënë, 27 shtator 2021

Takimi i kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot mori pjesë në Takimin e kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që organizohet nga Kuvendi Nacional i Republikës së Sllovenisë, në kuadër të kryesimit slloven me Këshillin e BE-së në Bërdo pranë Kranjit.   

Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, Kryetari i Kuvendit Nacional të Republikës së Sllovenisë, Igor Zorçiç, dr. Anzhe Llogar, ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Sllovenisë dhe Monika Gregoriç, kryetare e Komisionit të Politikës së Jashtme e Kuvendit Nacional të Republikës së Sllovenisë, e shënuan hapjen formale të takimit me fjalët e tyre hyrëse, pas çka vijuan fjalimet e kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Kryetari Talat Xhaferi.       

Presidenti Pahor shprehu keqardhje që integrimi nuk shkon sipas ritmit të dëshiruar, që është çështje jo vetëm e zhvillimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor por edhe e paqes dhe sigurisë.  Përcaktimi slloven është të futet një impuls freskues në këtë proces, me çka do të shprehet mbështetje e fuqishme e perspektivës evropiane për rajonin. Ky proces është dy kahesh, respektivisht, vendet kandidate duhet të përmbushin reformat e kërkuara, ndërsa vendet anëtare duhet ta mbajnë lartë në agjendën evropiane. Ai përfundoi se, çështjet bilaterale duhet të zgjidhen me qasje e cila do të ketë simbolikë të pajtimit të ndërsjellë e jo të përçarjes.  

Kryetari Zorçiç, duke e hapur temën për rolin e parlamenteve në kthimin e besimit në procesin e zgjerimit të BE-së, theksoi se jemi shpesh dëshmitarë të thjeshtëzimit të funksionalitetit të parlamenteve si institucione, që është më i ndërlikuar dhe paraqet platformë të kryqëzimit të interesave të ndryshme të qytetarëve tanë dhe pjesëmarrja e tyre indirekte e përforcon legjitimitetin e vendimmarrjes. Ai apeloi në përshpejtimin e procesit të integrimit dhe përforcimit të besueshmërisë dhe parashikueshmërisë së tij nga ana evropiane. 

Ministri Llogar e potencoi fuqinë transformuese që e ka integrimi evropian në vendet aspiruese në avancimin e sundimit të drejtës, luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe reformat socio - ekonomike. Çështjet e hapura në rajon duhet të zgjidhen në frymën e besimit dhe në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe legjislacionin evropian, porositi Llogar. Ai përfundoi se migracioni, sulmet kibernetike dhe transformimi i gjelbër dhe digjital i ekonomisë janë prioritet edhe për vendet aspiruese dhe ato duhet të jenë në bazën e procesit të integrimit.  

Znj. Gregoriq theksoi se interesi i Unionit është një Ballkan stabil i cili ka potencial dhe i njëjti duhet të pranohet dhe mbahet edhe gjatë kryesimeve të radhës me Këshillin e BE-së. Kjo edhe më shumë do e përforcojë perspektivën e Ballkanit Perëndimor dhe njëherazi do i eliminojë ndikimet destabilizuese të palëve të treta dhe do të ndihmojë në zgjidhjen më të shpejtë të çështjeve të hapura në rajon. 

Deklaratën e përbashkët të miratuar në takim, pjesëmarrësit e përshëndetën zotimin e Parlamentit Evropian i cili siguron mbështetje politike të procesit të zgjerimit dhe e theksuan nevojën për përparësi strategjike ndaj zgjerimit nga Bashkimi Evropian. Nga ana e tyre, u potencua rëndësia e diplomacisë parlamentare në thellimin e dialogut politik në përshpejtimin e procesit të zgjerimit dhe zotimin e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor për përforcimin e bashkëpunimit rajonal që kontribuon në avancimin e besimit dhe promovimin e procesit të pajtimit në rajon. Në Deklaratë u sugjerua nevoja për një kujdes të veçantë ndaj gjeneratave të reja dhe hapja e mundësive të reja për inkuadrimin e tyre në programet e BE-së, krijimi i vendeve të punës dhe ndërmarrja e hapave për motivimin e të rinjve të jetojnë dhe punojnë në rajon. Në këtë kontekst, u pranua rëndësia dhe nevoja për inkuadrimin e parlamenteve, shoqërisë civile dhe aktorëve tjerë relevantë në Konferencën për ardhmërinë e Evropës.  

Deklarata e përbashkët do të dërgohet në Parlamentin Evropian, në Komisionin Evropian, te pjesëmarrësit në samitin e radhës të BE - Ballkani Perëndimor, si edhe në Konferencën e kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së (KKBE). 

Click