Aktivitetet

E enjte, 18 shkurt 2021

Takimi i Kryetarit Xhaferi me Kjuçuk

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi u takua me raportuesin për Republikën e Maqedonisë së Veriut në Parlamentin Evropian, Ilhan Kjuçuk i cili qëndron në vizitë pune dyditore në shtet.

Kryetari Xhaferi shprehu falënderim për angazhimin e raportuesit Kjuçuk për përpilimin e rezolutës për përparimin e vendit në vitin 2019 dhe 2020, me shpresë se dokumenti final i cili duhet të votohet në fillim të marsit, do të përmbajë vlerësime objektive për gjendjet në shtet, do të notohet përparimi dhe qartë do të bëhet thirrje për fillimin e negociatave për anëtarësim. Ai theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është shembull pozitiv për bashkëpunim rajonal dhe se shteti mbetet i përkushtuar ndaj Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë prej vitit 2017, si një bazë e mirë për tejkalimin e dallimeve, kthimin e besimit dhe hapjen e dyerve për fillimin e procesit të aderimit.

Në drejtim të Dialogut Zhan Mone për ndryshime në Rregulloren për punë të Kuvendit, Xhaferi informoi se për shkak të pandemisë, procesi do të vazhdojë në Kuvend me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të gjitha grupeve politike në grupin e punës që do e udhëheqë procesin, ndërsa eurodeputetët në mënyrë periodike kolegjiale do të informohen për atë se si përparon procesi, derisa të krijohen kushte për vazhdimin e sërishëm me pjesëmarrje fizike të gjithë pjesëmarrësve në këtë dialog. Informoi edhe se vazhdon dialogu ndërparlamentar konstruktiv në kuadër të Komitetit të Përzier Parlamentar – BE dhe Republika e Maqedonisë së Veriut dhe se takimi i ardhshëm në distancë është parashikuar për në fund të marsit.

Raportuesi Kjuçuk theksoi se rezoluta për Republikën e Maqedonisë së Veriut fillimisht do të shqyrtohet në Komisionin e Politikës së Jashtme e mandej në seancë plenare të Parlamentit Evropian. Ai nënvizoi se teksti do të japë një pasqyrë reale të gjendjeve dhe mesazh të fuqishëm se Bashkimi Evropian nuk e harron shtetin dhe mbetet partner i përkushtuar për realizimin e aspiratave tona për anëtarësim të plotfuqishëm. Në lidhje me raportet me Bullgarinë, shprehu shpresë se pas zgjedhjeve parlamentare në Bullgari, kontaktet do të intensifikohen a si shembull të mirë të bashkëpunimit bilateral e sugjeroi bashkëpunimin ndërmjet agjencive gazetare MIA dhe BTA, duke theksuar se ekzistojnë mundësi edhe për projekte të përbashkëta dhe bashkëpunim ndërmjet universiteteve të dy shteteve edhe në shumë fusha tjera. Në drejtim të Dialogut Zhan Mone, raportuesi Kjuçuk shprehu gatishmëri për mbajtjen e një video takimi për ndarjen e informatave për atë se si përparon procesi në Kuvend. Në fund, ai shprehu shpresë se menjëherë sapo të lejojnë këtë rrethanat, me Kryetarin Xhaferi do të takohen në Parlamentin Evropian.  

Click