Aktivitetet

E premte, 24 shtator 2021

TAKIMI I KRYETARIT XHAFERI ME KOLEGUN HUNGAREZ KOVER

Në margjinat e Takimit të dhjetë të kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Evropës Juglindore të përkushtuar zgjerimit, që mbahet në Budapest, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, u takua me kolegun e tij nga Kuvendi i Hungarisë, z. Llasllo Kover. 

Mbajtjen e këtij Takimi, Kryetari Xhaferi e vlerësoi si jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendet e Evropës Juglindore, duke e marrë parasysh vazhdimësinë e tij dhe mbështetjen politike me miratimin e dokumentit përfundimtar, me të cilin dërgohet mesazh i fuqishëm për qëndrimin e vendeve të Grupit të Vishegradit për anëtarësimin e vendeve të rajonit tonë në Bashkimin Evropian. Ai e informoi Kryetarin Kover për aktivitetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas aderimit në NATO, si edhe për statusin aktual të procesit eurointegrues, sidomos në aspekt të marrëdhënieve me Republikën e Bullgarisë. Me këtë rast, shprehu falënderim për mbështetjen që Hungaria e jep në planin e menaxhimit të migrantëve në kufirin jugor, duke e mbrojtur kështu në mënyrë indirekte kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian. Kryetari Xhaferi, në shenjë të marrëdhënieve të mira bilaterale, e shfrytëzoi rastin dhe gojarisht e ftoi për vizitë në vendin tonë.

Kryetari Kover, duke e pranuar përzemërsisht ftesën, shprehu mirënjohje për prezencën dhe pjesëmarrjen tonë të vazhdueshme në këto takime dhe haptazi e sugjeroi mbështetjen e Hungarisë për eurointegrimet tona, për të cilat konsideron se vendi qëmoti duhej të jetë shumë më përpara dhe se Bashkimi Evropian duhej të parandalojë hapa të caktuara, të cilat kontribuuan për stagnimin e këtij procesi. Për të është me rëndësi të veçantë inkuadrimi i vendeve të rajonit në Konferencën për ardhmërinë e Evropës, duke e pasur parasysh faktin se për momentin ekzistojnë dallime të mëdha ndërmjet të majtës dhe të djathtës evropiane  për funksionimin e ardhshëm të Bashkimit dhe për këto arsye, zëri i vendeve nga rajoni i Evropës Juglindore mund të ndihmojë në afrimin e qëndrimeve aktuale të ndryshme.

Në takim u konstatuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale në nivelin më të lartë dhe nismat e përbashkëta për avancimin e bashkëpunimit në më shumë fusha, si në pjesën e ekonomisë, sidomos nëse merret parasysh fakti se këmbimi tregtar shënon rritje prej 38% në dy vitet e fundit, por edhe në fushën e shkencës, arsimit, mbrojtjes dhe fusha tjera me interes të ndërsjellë. 

Click