Aktivitetet

E mërkurë, 10 mars 2021

Takimi i Kryetarit Xhaferi me nënkryetarin Abazoviq 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi realizoi takim me Nënkryetarin e Qeverisë së Malit të Zi, z. Diritan Abazoviq, i cili qëndron në vizitë zyrtare dyditëshe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në takim ishte e pranishme edhe znj. Dafina Stojanovska, kryetare e Grupit të Bashkëpunimit me Parlamentin e Malit të Zi. 

Duke i vlerësuar raportet politike si të shkëlqyera pa çështje të hapura, Kryetari Xhaferi potencoi se të dy palët me përpjekje të përbashkëta mund ti shfrytëzojnë potencialet me qëllim që të intensifikojnë bashkëpunimin ekonomik dhe të rrisin këmbimin tregtar dhe shprehu bindjen se kjo vizitë do të kontribuojë në këtë drejtim. 

Në drejtim të eurointegrimeve, Xhaferi e përshëndeti përparimin e Malit të Zi dhe informoi se Republika e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet dialogut të hapur punon në mënjanimin e pengesave në rrugën deri në anëtarësimin e plotfuqishëm në Bashkimin Evropian.   

Duke e theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, ai shprehu shpresë se të gjithë do të vazhdojnë të angazhohen në thellimin e marrëdhënieve rajonale si bazë për një bashkëpunim ekonomik dhe partner më intensiv për ardhmëri të përbashkët euroatlantike. 

Nënkryetari Abazoviq drejtoi urime për gjithçka që ka bërë shteti në periudhën e kaluar në planin vendor por edhe për rajonin dhe shprehu shpresë se së shpejti do i shohë edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut edhe Malin e Zi si pjesë e BE-së. Por, që kjo të ndodhë, theksoi ai, nevojiten ndryshime, punë e zellshme dhe më shumë dialog dhe bashkëpunim. 

Duke e përshëndetur praninë e kryetares së Grupit të Bashkëpunimit me Parlamentin e Malit të Zi, znj. Dafina Stojanovska, ai shprehu shpresë se në periudhën e ardhshme bashkëpunimi parlamentar do të intensifikohet në mënyrë plotësuese.   

Të dy bashkëbiseduesit e theksuan rëndësinë e dhënies përparësi dialogut për arritjen e zgjidhjeve të përbashkëta dhe u pajtuan se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Mali i Zi mund të tregojnë se bashkëpunimi në rajon mund të jetë shumë cilësor në të gjitha nivelet. 

Click