Aktivitetet

E shtunë, 5 mars 2022

TAKIMI I KRYETARIT XHAFERI ME PRESIDENTEN KOSOVARE OSMANI

Ditën e dytë të vizitës zyrtarë në Republikën e Kosovës, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i shoqëruar nga deputetët Bejxhan Iljaz, Beti Stamenkoska Trajkoska dhe Izet Mexhiti, anëtarë të Grupit Parlamentar të Bashkëpunimit me Kuvendin e Kosovës, realizoi takim me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Kadriu. 

Gjatë takimit u riafirmuan marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, si edhe gatishmëria e të dyja palëve për ndërtimin e mëtejmë të miqësisë dhe bashkëpunimit të afërm dhe të përhershëm. 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, u zotua për thellimin e mbështetjes së ndërsjellë, për konsultime dhe këmbim të përvojave për progresin e mëtejmë në realizimin e qëllimeve strategjike të të dyja vendeve. Duke theksuar se Republika e Kosovës është një nga partnerët tregtarë më të rëndësishëm të Maqedonisë së Veriut dhe ndër tregjet kryesore të eksportit për ekonominë tonë, Xhaferi theksoi se bashkëpunimi ekonomik është një nxitje plotësuese për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale. Në periudhën e ardhshme, fokusi duhet të vihet në ndërlidhjen infrastrukturore në pjesën e transportit dhe energjetikës, si edhe thellimin e bashkëpunimit në fushat tjera në interes të qytetarëve të të dyja vendeve.

Xhaferi e përsëriti mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe gatishmërinë tonë për dhënien e kontributit në atë drejtim, si vend anëtar në NATO dhe vend kandidat për anëtarësim në BE. Republika e Maqedonisë së Veriut po ashtu, do të vazhdojë me mbështetjen në aderimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe nismat rajonale.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Kadriu, foli për rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve dhe dinamikën më intensive në kontaktet dhe dialogun. Ajo e shprehu shqetësimin për implikimet e mundshme nga zhvillimi i ngjarjeve në Ukrainë mbi gjendjen e sigurisë në vend dhe në rajon, duke potencuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është nevojë urgjente për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit dhe më gjerë. Ajo po ashtu porositi se qytetarët e Kosovës janë të përkushtuar ndaj anëtarësimit në BE dhe në këtë drejtim, vlerësoi se nisma “Ballkani i hapur” nuk është në favor të këtij qëllimi. Osmani Kadriu e theksoi rolin e pazëvendësueshëm të parlamenteve në marrjen e vendimeve dhe transmetimin e mesazheve, sidomos në drejtim të ngjarjeve aktuale. Ajo theksoi se Kosova, në të gjitha forumet ku merr pjesë, vazhdimisht e përsërit mbështetjen e vet për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. 

Bashkëbiseduesit e dënuan ashpër agresionin ushtarak të Federatës Ruse në Ukrainë dhe e potencuan nevojën për bashkërenditje për të gjitha efektet e mundshme negative në rajon, si edhe bashkimin e forcave dhe zërit të mbështetjes me partnerët perëndimorë.

Me ftesë të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, mori pjesë në aktivitetet me rastin e shënimit të 24. vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai ishte i pranishëm në Seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në parakalimin e pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës, dhe vendosi kurorë me lule mbi varrin e themeluesit të UÇK-së, Adem Jashari, në Qendrën Memoriale në Prekaz.   

Click