Aktivitetet

E premte, 9 prill 2021

TAKIMI ONLLAJN I GPNP-së PËR TË DREJTAT E PERSONAVE LGBTI

Grupi Parlamentar Ndërpartiak për të Drejtat e Personave LGBTI sot mbajti takim onllajn me përfaqësuesit e Këshillit të Evropës, në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës "Horizontal Facility II" dhe Projektit për Promovimin e Barazisë dhe Diversitetit.

Aksioni për avancimin e diversitetit dhe barazisë në Maqedoninë e Veriut është pjesë e programit të përbashkët të Këshillit të Evropës / BE-së për "Horizontal Facility II" për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë II dhe një nga qëllimet e tij kryesore është të punojë për të luftuar diskriminimin dhe për t'i mbështetur institucionet dhe partnerët në luftën kundër diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes dhe mbrojtjen e të drejtave LGBTI.

Si përfaqësues të Këshillit të Evropës, në takim morën pjesë: Lejla Dervishagiq, drejtoreshë operative e Zyrës së Programit të Këshillit të Evropës në Shkup; Anxhella Longo, menaxhere e programit nga Departamenti për Antidiskriminim dhe Marija Andreeva, udhëheqëse e projektit të Zyrës së Programit të Këshillit të Evropës në Shkup.

Pjesëmarrësit në takim u njohën me njëri-tjetrin dhe u informuan për punën dhe aktivitetet e deritanishme, si dhe aktivitetet e planifikuara, ndërsa diskutuan edhe mbi mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen.

Deputetët theksuan se ky takim fillestar është kënaqësi e madhe për të gjithë pjesëmarrësit dhe shprehën gatishmërinë për të kontribuar në luftën kundër diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes dhe mbrojtjen e të drejtave LGBTI.

Ndër të tjera, u theksua se deputetët janë duke punuar në përgatitjen e ndryshimeve dhe plotësimeve në rregullativën ligjore në lidhje me njohjen juridike të gjinisë së personave transgjinorë, i cili është rezultat i procesit dhe zbatimit të vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Rastin "X kundër Maqedonisë së Veriut".

Koordinatorja e Grupit, Maja Moraçanin, iu referua rolit të Grupit në përmirësimin dhe mbikëqyrjen e legjislacionit dhe ndërgjegjësimin.

Click