Aktivitetet

E martë, 23 mars 2021

Takimi virtual i Grupit të Maqedonisë dhe Sllovenisë për Miqësi dhe Bashkëpunim

Sot u mbajt takimi virtual i Grupeve të Miqësisë dhe Bashkëpunimit, të organizuar së bashku nga Parlamenti i Maqedonisë dhe Sllovenisë. Nga pala maqedonase morën pjesë deputetët z. Aleksandar Veljanovski, kryetar i Grupit, anëtarët: znj. Bllagica Llasovska, znj. Belkisa Zeqiri, znj. Zhaklina Llazarevska, znj. Beti Rabaxhievska-Naumovska, z. Ljupço Dimovski dhe z. Berat Ajdari, ndërsa nga pala sllovene, znj. Iva Dimiq, kryetare e Grupit dhe deputetët: z. Jozhe Lenart dhe z. Tomash Lisec. Në takim morën pjesë edhe ambasadori në Shkup, SH.T. Millan Predan dhe ambasadorja në Lubjanë, SH.S. Suzana Zelenkovska.

Theksi kryesor i diskutimit ishte në punën e parlamenteve në kushtet e pandemisë, punën e komisioneve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe prioritetet sllovene gjatë marrjes së Kryesimit me Këshillin e BE-së në korrik të këtij viti. z. Aleksandar Veljanovski i përshëndeti marrëdhëniet e shkëlqyera me Republikën e Sllovenisë dhe bashkëpunimin bilateral dinamik pa çështje të hapura dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për integrimin tonë euroatlantik. Lidhur me potencialet bujqësore dhe ekonomike, si dhe forcimin e lidhjeve ekonomike, deputeti Dimovski propozoi një bashkëpunim më intensiv në nivelin e komisioneve relevante për bujqësi në të dyja parlamentet.

Deputetja Bllagica Llasovska e vlerësoi sistemin arsimor të Republikës së Sllovenisë dhe i informoi të pranishmit për përdorimin e përvojave sllovene në modelin tonë arsimor. Vetë fakti që 54 marrëveshje bilaterale janë nënshkruar midis të dyja vendeve është provë e një miqësie të fortë ndërshtetërore, theksoi deputetja Zhaklina Llazarevska, e cila gjithashtu falënderoi për ndihmën mjekësore dhe pajisjet e Republikës së Sllovenisë për t'u përballur me pandeminë.

Znj. Iva Dimiq theksoi se marrëdhëniet bilaterale midis të dyja vendeve janë një model për bashkëpunim të suksesshëm dhe vuri në dukje shëndetësinë, digjitalizimin dhe ekonominë si prioritete më të rëndësishme të Kryesimit Slloven. z. Jozhe Lenart vuri në dukje Qendrën e Koordinimit për Reagimin Urgjent si një mundësi për t'i përdorur mjetet dhe ndihmën evropiane në kushtet e pandemisë.

Bashkëbiseduesit ranë dakord se ekziston një potencial i madh për bashkëpunim në fushën e eko-turizmit, prodhimin e eko-ushqimit, mjedisit jetësor dhe teknologjisë informatike që duhet të përdoret në të ardhmen.

Click