Aktivitetet

E mërkurë, 24 mars 2021

Video-takim i grupeve parlamentare maqedonase-austriake për bashkëpunim

Kryetari i Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Austrisë, Arbër Ademi dhe anëtarët realizuan video-takim me kryetaren e Grupit për Bashkëpunim ndërmjet Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut në Këshillin Nacional të Republikës së Austrisë, Stefani Krisper dhe anëtarët.

Në takim morën pjesë edhe deputetët Ane Llashkoska, Sillvana Angelevska, Mirçe Axhioski, Maja Moraçanin, Dragica Gjavoçanova, Marija Angellova dhe Halil Snopçe. 

Në video-takim morën pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Austrisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Georg Vocas, si dhe Ambasadori i Maqedonisë në Vjenë, Nenad Kolev.

Kryetari i Grupit, Ademi, e falënderoi znj. Krisper për fillimin e video-takimit midis të dyja Grupeve të Bashkëpunimit, duke theksuar se ekzistimi i tyre e tregon interesin e përbashkët për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe thellimin e bashkëpunimit. Ai u shpreh i kënaqur që marrëdhëniet politike midis të dyja vendeve karakterizohen nga miqësia, mirëkuptimi, dialogu i hapur dhe intensiv dhe theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut e vlerëson lartë mbështetjen e vazhdueshme për integrimin evropian dhe pozicionin e shprehur qartë të Republikës së Austrisë për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe në kohë kur BE-ja përballet me shumë sfida. Në këtë drejtim ishte përmendur edhe letra që nëntë ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve-anëtare të BE-së, përfshirë edhe Austrinë, ia dërguan përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Zhozef Borell, për kthimin e Ballkanit Perëndimor në agjendën e BE-së.

Kryetarja e Grupit Austriak, Stefani Krisper, duke theksuar se në dy mandate radhazi është koordinatore e Grupit për Bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, theksoi se Austria do të vazhdojë të ofrojë mbështetje pa rezerva në rrugën tonë të integrimit evropian dhe është i gatshëm për bashkëpunim në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Deputetët shkëmbyen mendime edhe mbi mosfillimin e negociatave aderuese, megjithë hapat e guximshëm të ndërmarrë nga ne për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Greqinë dhe Bullgarinë, agjendën e reformave dhe rekomandimin e Komisionit Evropian, duke theksuar se pavarësisht zhgënjimit vazhdojmë të punojmë në perspektivën evropiane dhe shpresojmë që së bashku me Bullgarinë me qasje racionale të jemi në gjendje të ruajmë kredibilitetin e procesit të zgjerimit. 

Të dyja palët u përqendruan në situatën me pandeminë dhe e theksuan nevojën për solidaritet më të madh në shpërndarjen e vaksinave, përkundër të ashtuquajturës nacionalizmi i vaksinave, i cili nuk do të ndihmojë globalisht për të imunizuar popullatën sa më shpejt të jetë e mundur në Evropë dhe globalisht. 

Bashkëpunimi bilateral në lidhje me krizën e migrantëve u vlerësua si pozitiv, dhe u nënvizua se numri i madh i qytetarëve me origjinë nga Republika e Maqedonisë së Veriut që jetojnë dhe punojnë në Austri, është faktor që i lidh më tej të dyja vendet.  

Click