E enjte, 12 dhjetor 2013, Tiranë, Shqipëri
KRYETARI VELJANOSKI NË VIZITË ZYRTARE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Trajko Veljanoski, u takua me kolegun e tij, gjegjësisht kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, me presidentin e shtetit, z. Bujar Nishani dhe me zëvendëskryeministrin e Shqipërisë, z. Niko Celeshi.
Në takimin e të dy kryetarëve të parlamenteve, u shpreh kënaqësi nga marrëdhëniet e mira ndërmjet të dy Parlamenteve, si në nivel të kryetarëve, ashtu edhe në nivel të Grupeve për bashkëpunim dhe Komisionet.
Z. Meta potencoi se bashkëpunimi i përgjithshëm mund të përforcohet në mënyrë plotësuese, me qasje pragmatike dhe konstruktive e cila qytetarëve do t'u sigurojë jetesë më të mirë. Ai shprehu vendosmërinë e tij për ta ngritur bashkëpunimin në nivel ende më të lartë, për të cilin shumë të rëndësishme janë porositë që i dërgojnë përfaqësuesit e të dy shteteve.
Z. Meta theksoi se Shqipëria e përkrah Republikën e Maqedonisë, njëkohësisht duke theksuar se ajo duhet të jetë anëtare e NATO-s dhe se duhet t'i fillojë negociatat me Bashkimin Evropian dhe se po të vareshin këto çështje nga Shqipëria, Republika e Maqedonisë që moti do të ishte anëtare e të dyja organizatave.
Bashkëbiseduesit shfaqën shpresë se këtë muaj Republika e Shqipërisë do ta merr statusin e kandidatit dhe njëkohësisht nënvizuan gatishmërinë për ndarjen e përvojës të cilën Republika e Maqedonisë si vend-kandidat mund t'ia përcjellë fqinjit të saj.
Mikpritësit shqiptarë e përgëzuan Republikën e Maqedonisë për sukseset e arritura në tërheqjen e investimeve të huaja edhe në bujqësi edhe në blegtori dhe shprehën interes në përvojën pikërisht në këto dy sfera.
Bashkëpunimi dhe prosperiteti ekonomik u potencua si obligim për politikanët, por edhe si mënyrë për t'u tejkaluar edhe vështirësitë dhe pengesat politike dhe mundësi që përmes progresit ekonomik të tejkalohen probleme të caktuara nga e kaluara.
Bashkëpunimi rajonal, iniciativat dhe projektet konkrete janë momente të cilat të gjithë bashkëbiseduesit e sotëm i njohin si mundësi e mirë për t'u shfaqur bashkërisht para institucioneve evropiane dhe mundësi e shkëlqyeshme për benefit dhe prosperitet të të gjithë rajonit dhe imazh më të mirë për çdo shtet në veçanti.
Në takimet u diskutua edhe për minoritetet në të dyja shtetet, përkushtimin në përforcimin e mirëbesimit, implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, rëndësinë e të dy minoriteteve në shtetet e caktuara, raportet me to si realitet dhe mundësi për ndërtimin e një ure ende më të qëndrueshme në marrëdhëniet e të dyja shteteve.
U potencua se shqiptarët në Republikën e Maqedonisë dhe maqedonasit në Republikën e Shqipërisë janë faktor i cili më tepër shpie drejt bashkimit sesa drejt ndarjes, meqë të dyja komunitetet janë lidhje organike ndërmjet të dyja shteteve.
Rëndësinë e vizitave dhe takimeve në të gjitha nivelet, bashkëbiseduesit e konsiderojnë si impuls dhe kontribut plotësues në përforcimin e marrëdhënieve të përgjithshme,
Kryetari i Kuvendit te Republikës së Maqedonisë, z. Trajko Veljanoski, në kuadër të vizitës zyrtare iu drejtua Kuvendit të Republikës së Shqipërisë me një fjalë përshëndetëse.