Udhëheqja parlamentare

E enjte, 6 mars 2014

DEKLARATA E KRYETARIT VELJANOSKI ME RASTIN E SHPALLJES SË ZGJEDHJEVE TË PARAKOHSHME PËR DEPUTETË NË KUVENDIN E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË

Qytetarë të nderuar,
Përfaqësues të nderuar të mediave,

Dëshiroj t'ju njoftoj se në pajtim me dispozitat kushtetuese dhe në pajtim me afatet e përcaktuara në Kodin zgjedhor, si kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, kam për obligim që pas shpërndarjes së Kuvendit të shpall zgjedhje të parakohshme për deputet.

Në lidhje me afatet, dispozita kushtetuese parasheh se zgjedhjet e parakohshme për deputetë të mbahen në afat prej 60 ditësh nga dita e shpërndarjes së Kuvendit. 

Sot e nënshkrova Aktvendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, të cilat do të mbahen më 27 prill 2014, përkatësisht ditën e njëjtë me rrethin e dytë të zgjedhjes për president të Republikës së Maqedonisë, nëse presidenti nuk zgjidhet në rrethin e parë, më 13 prill. 

Aktvendimi për shpalljen e zgjedhjes do t'i dorëzohet Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të Republikës së Maqedonisë, si organ për realizimin e zgjedhjeve, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Si herën e kaluar edhe sot dëshiroj të potencoj se para nesh është procesi zgjedhor në të cilin rregullat e zgjedhjeve janë pranuar me pajtim të pushtetit dhe opozitës, gjë që paraqet përgjegjësi plotësuese për të dyja palët dhe obligim që këto rregulla të respektohen dhe praktikohen gjatë gjithë procesit.

Edhe njëherë dëshiroj t'i ftoj të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor për zgjedhje të presidentit të Republikës së Maqedonisë dhe për zgjedhje të deputetëve, të veprojnë veçanërisht në pajtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, të kontribuojnë në krijimin e atmosferës së qetë dhe demokratike, në të cilën çdo qytetar do të mund në mënyrë dinjitoze ta realizojë të drejtën e tij të votës sipas bindjes së tij personale.               

Ju faleminderit.

Click