Udhëheqja parlamentare



E martë, 8 tetor 2013, Budapest, Hungari

FJALIMI I KRYETARIT VELJANOSKI NË KONFERENCËN E GJASHTË NË NIVEL TË KRYETARËVE TË PARLAMENTEVE NGA VENDET E BALLKANIT PERËNDIMOR ME TEMË "INTEGRIMI NË BE: REZULTATET DHE ASPIRIMET"

Kolegë të nderuar,
Zonja dhe zotërinj,
Ekselenca jua,

Më lejoni, fillimisht të shpreh falënderim ndaj kryetarit të Kuvendit Nacional të Hungarisë, z. Lasllo Kover, për organizimin e Konferencës së gjashtë dhe për mirëpritjen që na u bë në këtë konferencë dhe në konferencat paraprake.

Të nderuar,

Duke iu referuar temës të cilën e kemi në sesionin e parë, nuk mund të mos e përmendim dhe ndajmë rezultatin e arritur, pritjet, por edhe vështirësitë, bile edhe dëshpërimet të cilat i hasëm në insistimin për t'u bërë pjesë e familjes evropiane. Përcaktimi strategjik i Republikës së Maqedonisë në procesin eurointegrues është në pozicion të lartë në agjendën që nga çasti i pavarësisë së saj në vitin 1991. Përcaktimi strategjik si bazë e ka përkatësinë gjeografike, historike, por edhe civilizuese të shtetit tonë në Evropë, si dhe përpjekjen e fuqishme për t'i ndarë vlerat e Bashkimit Evropian për respektimin e të drejtave të njeriut, lirinë dhe dinjitetin, për barazinë, demokracinë, sundimin e së drejtës. 

Qëllimet dhe angazhimet e përcaktuara shënojnë përkushtim të fuqishëm të shtetit në drejtim të reformave dhe masave të nevojshme, harmonizimit me të drejtën evropiane, realizimit të aktiviteteve dhe zbatimit të vendimeve të nevojshme për përmbushjen e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Gjithë këto vite Republika e Maqedonisë mbetet fuqimisht e përkushtuar në arritjen e standardeve evropiane dhe ngritjen e fuqisë konkurruese të shtetit tonë, por megjithëse është vërtetuar puna e realizuar dhe suksesi i arritur, Republika e Maqedonisë tashmë është 8 vite kandidate, 4 vite me radhë nga Komisioni Evropian merr raport pozitiv për progresin dhe rekomandim për fillimin e negociatave për anëtarësim, por jo edhe datë për fillimin e negociatave. Për shkak të kushtëzimit që bëhet nga fqinji jugor, gjegjësisht Greqia, në Këshillin e BE-së nuk mund të arrihet konsensus për miratimin e vendimit për fillimin e negociatave me Republikën e Maqedonisë. Me kontestin e imponuar për emrin nge Greqia, pengohet fillimi i negociatave me BE-në. Kontesti bilateral i cili nuk ka kurrfarë mbështetje dhe justifikimi në të drejtën ndërkombëtare, qëndron para progresit të vendit dhe para hapërimit në procesin eurointerues.

Pavarësisht vështirësive dhe absurdeve që e pengojnë rrugën e integrimit të Republikës së Maqedonisë, ne qëndrojmë fuqimisht të përkushtuar në angazhimet dhe përcaktimet, pa mëdyshje insistojmë të gjendet zgjidhje për kontestin e imponuar. Ne në mënyrë aktive dhe konstruktive marrim pjesë në negociatat me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara, por edhe insistojmë të ulemi në tryezë të përbashkët me fqinjin jugor që të gjejmë zgjidhje e cila do të jetë e pranueshme për të dyja palët.

Duhet të veprohet maksimalisht me racionalizëm, për problemet dhe çështjet kontestuese, të gjendet zgjidhje, të tejkalohen vështirësitë, dhe në asnjë të mënyrë mos shmanget dialogu. 

Është shumë vështirë që në kushte dhe rrethana të tilla të kesh përkrahjen e qytetarëve për anëtarësim në BE, të mbahet përqindje e lartë e përkrahjes së qytetarëve për të qëndruar në rrugën eurointegruese. Por, pa marrë parasysh rrethanat, Republika e Maqedonisë jep rezultate konkrete dhe të dukshme në sferat reformuese të cilat do ta përmirësojnë përditshmërinë dhe mënyrën e jetesës së qytetarëve.

Reformat realizohen për përmbushjen e kritereve të përcaktuara, të cilat para së gjithash përmbushen për mirëqenien e qytetarëve. Reformat do të jenë aq të suksesshme, saqë benefitet prej tyre do t'i ndjejnë pikërisht qytetarët. Pikërisht ky është motivi për angazhimet tona, për punën dhe përpjekjet tona. Si politikanë kemi përgjegjësi dhe për obligim që shteteve tona t'u sigurojmë progres dhe qytetarëve t'u sigurojmë një jetë më të mirë.

Njëkohësisht mbetemi të përkushtuar në mënyrë optimale në realizimin e shumë reformave themelore, në shumë sfera kemi arritur rezultate të rëndësishme, është shënuar progres në miratimin dhe zbatimin e standardeve evropiane me gatishmëri që përvojat t'i ndajmë me shtetet e rajonit. 

Republika e Maqedonisë u kushton vëmendje veçanërisht marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me vendet fqinje dhe pikërisht ato mbeten të jenë një nga shtyllat më kryesore të politikës së saj të jashtme. Mbajtja e marrëdhënieve mirë të ndërtuara, vazhdimësia e intensifikimit të bashkëpunimit në sferat të cilat janë me interes të ndërsjellë, janë indikatorë për dashamirësinë dhe marrëdhëniet miqësore të Republikës së Maqedonisë me fqinjët. 

Fqinjësia e mirë, miqësia, të bazuara në principet e respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjithë shteteve në rajon, rezultojnë me avancim të vazhdueshëm të marrëdhënieve si në planin bilateral, ashtu edhe në planin multilateral në të gjitha sferat dhe në të gjitha nivelet. Atë në mënyrë të dukshme e vërtetuam gjatë kryesimit njëvjeçar me Procesin për bashkëpunim të Evropës Juglindore. Në Konferencën e dhjetë të kryetarëve të parlamenteve në Ohër, më 28 maj të këtij viti, miratuam Deklaratë të përbashkët për transformimin e dimensionit parlamentar për bashkëpunim në forum të përhershëm parlamentar. Me atë duhet të përforcohet dialogu dhe bashkëpunimi për çështjet me interes të veçantë për vendet e Evropës Juglindore dhe qytetarët e saj, ndërsa veprimi i tij do të realizohet në bashkëpunim me partnerët rajonal dhe ndërkombëtar.

Besojmë në justifikimin dhe korrektësinë e gjithë asaj që nënkupton veprim të përbashkët në drejtim të tejkalimit të sfidave me të cilat ballafaqohen shtete tona, rajoni dhe Evropa. Besojmë se pavarësisht se a bëhet fjalë për krizë ekonomike, stabilitet energjetik dhe siguri ose për çfarëdo qoftë çështje tjetër, mirëkuptimi dhe të qenët konstruktiv, qasja e përbashkët në zgjidhjen e problemeve është opsioni i vërtetë në krijimin e suksesshëm të ambientit të shteteve të fuqishme, të rajonit stabil.

Iniciativat e përbashkëta, këmbimi i përvojave, interesi dhe përkrahja për atë që e bëjmë dhe e arrijmë bashkërisht për paqen, sigurinë, stabilitetin, solidaritetin dhe bashkëpunimin e mirë fqinjësor është e njohur edhe në kornizat evropiane. Nevojitet të mbetemi me atë fokus dhe angazhim si të kontribuojmë që zgjerimi i BE-së të mbetet pikë aktuale në agjendën evropiane.

Në Bashkimin Evropian ekziston konsensus politik se Evropa ka përgjegjësi ndaj rajonit dhe integrimit në BE, por është objektive nevoja e angazhimit dhe përgjegjësisë së çdo shteti në veçanti, arritja e standardeve dhe vlerave evropiane si garant për pjekurinë për të qenë pjesë e familjes. Është i rëndësishëm demonstrimi i përbashkët i gatishmërisë dhe vetëdijes që t'i ndajmë përfitimet civilizuese dhe t'i tejkalojmë paragjykimet, kontestet dhe keqkuptimet.  Kjo është detyrë me rëndësi të veçantë për shtetet ballkanike, detyrë që siguron bazë të qëndrueshme për ndërtimin e lidhjeve ndërmjet kulturave, kombeve dhe feve të ndryshme.

Kolegë të nderuar,

Javën e ardhshme e presim Raportin e Komisionit Evropian për Progresin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2012. Në pajtim me punën e bërë dhe rezultatin e arritur, edhe këtë vit besoj të marrim vlerësim pozitiv dhe rekomandim për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Pa marrë parasysh rezultatin nga vendimi i Këshillit në dhjetor, Republika e Maqedonisë do të mbetet prinicipiele në përcaktimet e saj, do të mbetet anëtare e përkushtuar dhe e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar duke dhënë kontribut të veçantë në bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, përmes mirëkuptimit dhe mirëbesimit dhe dialogut konstruktiv.

Republika e Maqedonisë beson fuqimisht në kapacitetet e vendeve të rajonit në realizimin e pritjeve për intensifikimin e dinamikës në lidhje me zgjerimin e BE-së për stabilitetin dhe prosperitetin e gjithë rajonit.

Ju faleminderit për vëmendjen. 

Click