Udhëheqja parlamentare

E martë, 27 maj 2014  

FJALIMI I KRYETARIT VELJANOSKI ME RASTIN E HAPJES SOLEMNE TË INSTITUTIT PARLAMENTAR

I nderuari ambasador Llazaroto, 
Të nderuar shkëlqesi, 
Kolegë deputetë, 
Të nderuar përfaqësues të mjeteve për informim publik, 
Zonja dhe zotërinj,

Sot me kënaqësi të veçantë e shënoj fillimin e punës së Institutit Parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, projekt i cili u realizua bashkë me partnerin tonë- Agjencia zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe i cili nënkupton shërbim profesional, i pavarur për hulumtim dhe analiza.

Qëllimi i këtij projekti është që Kuvendit, përkatësisht deputetëve, trupave punues, këshillave, grupeve parlamentare, si dhe të punësuarve në Kuvend, t'u sigurohen analiza të përgjithshme objektive dhe krahasimtare, analiza të ligjeve, si dhe qasje në bibliotekën e sistematizuar hulumtuese moderne dhe përkatëse. Instituti Parlamentar në korniza ligjore është përcaktuar me Ligjin për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, ndërsa siç e dini realizimi dhe funksionaliteti i tij janë pjesë e kritereve të Raportit të Komisionit Evropian për Progresin e Republikës së Maqedonisë.

Më 17 maj 2010 u nënshkrua Memorandum mirëkuptimi n
dërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe Këshillit Federal Zviceran në lidhje me projektin "Përkrahja e themelimit dhe zhvillimit të Institutit Parlamentar", i cili është një prej indikatorëve se ditës së sotme dhe kësaj hapje solemne i priu një proces shumëvjeçar, jo aq i thjeshtë, ku i kushtohej vëmendje çdo segmenti dhe hollësire lidhur me funksionalitetin e përgjithshëm të Institutit Parlamentar.

U realizuan shumë takime dhe mbledhje me Agjencinë zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, me të gjithë miqtë dhe donatorët tjerë që dëshiruan të japin kontribut në ndërtimin e këtij projekti.

Anëtarët e Këshillit Drejtues të Institutit Parlamentar dhanë një stimul plotësues për krijimin një sistemi funksional dhe për t'i kaluar suksesshëm të gjitha fazat e planifikuara.

Në disa raste opinioni është informuar se është zhvilluar një proces transparent dhe konkurrues për punësimin e nëpunësve me shkallë adekuate të specialitetit, profesionalizmit dhe përgatitjes, i nevojshëm për vendosjen e bazës së shërbimit të specializuar parlamentar për përpunimin e analizave dhe për hulumtime krahasimtare, sipas modelit të disa parlamenteve evropiane.

Ekipi i Institutit Parlamentar përbëhet prej 25 nëpunësve shtetërorë me arsim përkatës, të gjithë të trajnuar dhe të përgatitur për t'u përgjigjur kërkesave të deputetëve dhe nevojave për përpunim të analizave dhe hulumtimeve.

Çdo deputet nga përbërja e re parlamentare, në procedurë tanimë të përcaktuar, do të mund të parashtrojë kërkesë me shkrim ose në formë elektronike për përpunimin e një informate të shkurtër, për përpunimin e një pasqyre tematike, krahasimtare, statistike ose kronologjike për çështje dhe sfera të caktuara të cilat janë nga fusha me interes të tyre.  

Jemi dëshmitarë se në disa vite të fundit i kushtohet kujdes dhe vëmendje të veçantë përforcimit të kapacitetit të përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

U kushtuam angazhim të madh projekteve të cilat i realizuam bashkërisht me partnerët dhe donatorët, projekte të cilat mundësojnë edhe përforcim të kapacitetit, por edhe hapje të dhomës legjislative për opinionin dhe qytetarët. Një pjesë e këtyre projekteve janë gjithsesi edhe "Deputeti im" dhe "Zyrat për kontakt me qytetarët".  Secili prej këtyre projekteve fillon, siç thash, me ndonjë prej partnerëve, por gjithmonë insistohet që pas një periudhe të caktuar projekti të realizohet në mënyrë të pavarur nga Kuvendi.

Kënaqësia nga shënimi i sotëm i fillimit të punës së Institutit Parlamentar është aq më e madhe që pikërisht ky projekt në gjithë periudhën e plotë të përgatitjes dhe implementimit fitoi përkrahje të gjerë nga ana të gjitha grupeve parlamentare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, për të cilën sot dëshiroj t'u falënderohem veçanërisht të gjithë kolegëve që dhanë kontribut të tyre në ndërtimin e Institutit Parlamentar si projekt të cilin do ta shfrytëzojnë edhe përbërjet e tashme edhe të ardhshme parlamentare dhe të punësuarit në shërbimin e Kuvendit.

Në fund dëshiroj të shpreh falënderim ndaj ambasadës së Konfederatës zvicerane, ambasadave të Republikës së Çekisë dhe Republikës së Sllovakisë, të cilët kontribuan aktivisht për fillim të suksesshëm të këtij projekti.    

Shpreh falënderim edhe ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kolegëve kongresistë dhe senatorë me të cilat jam takuar dhe të cilët personalisht u angazhuan dhe dhanë përkrahje për implementimin e suksesshëm të projektit.

Shpreh falënderim edhe ndaj ambasadës së Republikës federative të Gjermanisë dhe Republikës së Francës, për gatishmërinë për të dhënë kontribut të tyre.

Dëshiroj të shpreh bindje personale se projekti (Instituti parlamentar) të cilit i kushtuam vëmendje të madhe, shumë kohë dhe energji, dhe i cili është krijuar dhe përpunuar sipas modeleve të mira të vendosura dhe funksionale të praktikës, në tërësi do t'i përgjigjet detyrës së vet, ndërsa gjatë viteve edhe vetë do të bëhet model i praktikës së mirë i cili do të shërbejë si shembull dhe model për implementim në ndonjë parlament tjetër.

Më lejoni që edhe njëherë të shpreh falënderim ndaj të gjithë pjesëmarrësve në procesin dhe të dëshiroj sukses për fillimin e punës së Institutit Parlamentar.  

Ju faleminderit.  

Click