PËR KUVENDIN


Në bazë të nenit 61 paragrafi 2 dhe nenit 66 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës të Maqedonisë, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, në seancën e mbajtur më 18 korrik 2008, miratoi:

 

 


RREGULLOREN E PUNËS SË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Me këtë Rregullore pune rregullohet organizimi dhe funksionimi i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë (Kuvendi) dhe i trupave punues të Kuvendit (trupa punues).
Trupat punues, në përputhje me dispozitat e kësaj Rregulloreje, mund të miratojnë Rregullore për punën e vet.

Neni 2

Seancat e Kuvendit dhe të trupave punues janë publike.
Kuvendi dhe trupat e tij punues mund të vendosin që të punojnë pa praninë e  publikut, në kushte të përcaktuara me Kushtetutë dhe me këtë Rregullore.

Neni 3

Në punën e Kuvendit gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik.
Deputeti i cili flet gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, e të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë, mund të flasë në këtë gjuhë në seancën e Kuvendit dhe në mbledhjen e trupit punues.
Qytetarët e shteteve të tjera, të cilët janë të ftuar të marrin pjesë në punimet e Kuvendit ose t’i drejtohen Kuvendit, kanë të drejtë të flasin në gjuhën e tyre.
Fjalimi i mbajtur në gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, detyrimisht përkthehet në gjuhën maqedonase.
                       
Neni 4

Kuvendi për të gjitha çështjet vendos me votim të hapur.
Kuvendi me votim të fshehtë mund të vendosë vetëm për zgjedhjen, emërimin ose shkarkimin e bartësve të funksioneve publike dhe funksioneve të tjera.
Kuvendi mund të vendosë që votimi të jetë i fshehtë me propozimin e Kryetarit të
Kuvendit ose të një deputeti, kërkesën e të cilit e mbështesin dhjetë deputetë.

Neni 5

Kuvendi është në punime të përhershme.
Pushimi i Kuvendit zgjat prej 1 deri më 31 gusht.
Kryetari i Kuvendit edhe gjatë kohës së pushimit mund të thërrasë seancë të Kuvendit.
                              
Neni 6

Kryetari i Kuvendit e përfaqëson Kuvendin.

Neni 7

Kuvendi ka vulë.
Vula e Kuvendit ka formë rrethi. Në mesin e vulës është stema e Republikës së Maqedonisë, ndërsa rreth saj është mbishkrimi: ’’Republika e Maqedonisë - Kuvendi i Republikës së Maqedonisë - Shkup’’.

Neni 8
Dispozitat e kësaj Rregulloreje në mënyrë përkatëse zbatohen në punën e Kuvendit në rast gjendje lufte ose të jashtëzakonshme, nëse me Kushtetutë ose me këtë Rregullore nuk është përcaktuar ndryshe.

II. KONSTITUIMI I KUVENDIT

1. Mbledhja konstituive e Kuvendit dhe verifikimi i mandatit të deputetëve

Neni  9

Nëse mbledhjen e parë të Kuvendit nuk e thërret Kryetari në largim, mbledhja mbahet në ditën e njëzetenjëtë nga dita e përfundimit të zgjedhjeve, në orën 10.00, ndërkaq të njëjtën e thërret deputeti i zgjedhur më i vjetër në moshë, nëse edhe ai refuzon ta thërrasë, kjo e drejtë i kalohet deputetit të zgjedhur të radhës për nga mosha, deri në deputetin e zgjedhur, i cili do të pajtohet që ta thërrasë mbledhjen e parë.
Deputeti i cili e ka thërritur mbledhjen e parë, kryeson me mbledhjen e Kuvendit (në tekstin e mëtejmë kryesuesi), derisa Kryetari i sapozgjedhur ose njëri prej nënkryetarëve nuk e merr detyrën.

Neni  10

Kryesuesi me mbledhjen e parë cakton dy prej deputetëve të zgjedhur, të cilët sipas nevojës e zëvendësojnë në kryesimin me mbledhjen.
Kryesuesi me apelin  e deputetëve të zgjedhur e përcakton numrin e pranishëm të deputetëve të zgjedhur.
Kuvendi mund të konstituohet nëse në mbledhje janë të pranishëm shumica e deputetëve të zgjedhur.
Pasi të konfirmohet kuorumi, zgjidhet kryetari dhe anëtarët e Komisionit Verifikues të Kuvendit (në tekstin e më tejmë: Komisioni Verifikues).
                   
Neni  11

Mandatin e deputetëve, me propozim të Komisionit Verifikues, Kuvendi e verifikon në mbledhjen konstituive.                   

Neni  12

Kuvendi e zgjedh Komisionin Verifikues në mbledhjen konstituive, me propozimin e kryesuesit.
Komisioni Verifikues përbëhet prej kryetarit dhe katër anëtarëve, nga radhët e deputetëve të cilët u takojnë partive të ndryshme politike të përfaqësuara në Kuvend.

Neni 13

Në bazë të raportit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për zgjedhjen e çdo deputeti, Komisioni Verifikues i paraqet Kuvendit raport me shkrim me propozim për verifikimin e mandatit të çdo deputeti veças.

Neni 14

Kuvendi e shqyrton dhe e voton në tërësi raportin e Komisionit Verifikues.
Nëse Komisioni Verifikues e konteston zgjedhjen e deputetit të caktuar, i propozon Kuvendit që ta shtyjë verifikimin e mandatit të tij. Për çdo propozim të tillë Kuvendi debaton dhe vendos veças.

Neni 15

Kuvendi mund ta shtyjë verifikimin e mandatit të deputetit dhe me konkluzion të kërkojë që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve t'i kryejë shqyrtimet e nevojshme për shkak të kontrollimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së zgjedhjes së zbatuar dhe brenda afatit prej 30 ditësh për këtë ta njoftojë Kuvendin.

Neni 16

Deri në marrjen e njoftimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deputeti, verifikimi i mandatit i të cilit është shtyrë, nuk ka të drejtë të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.

Neni  17

Verifikimin e mandatit të deputetëve, të cilët janë bërë deputetë nga lista e kandidatëve për mandatin e mbetur, Kuvendi e bën në mbledhjen e parë të radhës në bazë të raportit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ndërsa me propozim të Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit.
                                             
Neni  18

Me verifikimin e mandatit, deputeti fiton të drejta dhe detyra të përcaktuara me Kushtetutë, me ligj dhe me këtë Rregullore.

Neni  19

Deputetit të cilit i është verifikuar mandati, i lëshohet legjitimacion dhe kartelë për votim elektronik.
Në legjitimacion evidentohet e drejta e imunitetit dhe të drejtat e tjera që mund të realizohen në bazë të funksionit deputet.
Rregullat më të përafërta për përmbajtjen, formën dhe mënyrën e lëshimit të legjitimacioneve të deputetëve, si dhe për evidencën e legjitimacioneve të lëshuara i miraton Kryetari i Kuvendit.
Për lëshimin e legjitimacioneve dhe për evidencën e legjitimacioneve të lëshuara kujdeset Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit.

2. Zgjedhja e Komisionit për Çështjet e Zgjedhjeve dhe  Emërimeve

Neni 20

Kuvendi në mbledhjen konstituive, me propozimin e së paku dhjetë deputetëve, zgjedh Komisionin për Çështjet e Zgjedhjeve dhe të Emërimeve.
Në Komision sigurohet përfaqësim përkatës i deputetëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvend.

3. Zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit

Neni   21

Kuvendi nga radhët e deputetëve zgjedh Kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Numrin e nënkryetarëve e përcakton Kuvendi me propozim të Kryetarit të Kuvendit. Nënkryetarët zgjidhen nga radhët e deputetëve, të cilët u takojnë partive të ndryshme politike të përfaqësuara në Kuvend.
Njëri nga nënkryetarët zgjidhet nga radhët e deputetëve, të cilët i takojnë partisë politike të përfaqësuar në Kuvend, që është parti më e madhe opozitare.

Neni  22

Kandidat për Kryetar të Kuvendit mund të propozojë Komisioni për Çështjet e Zgjedhjeve dhe Emërimeve ose së paku 20 deputetë.
Një deputet mund të jetë propozues vetëm i një kandidati për Kryetar të Kuvendit.

Neni 23

Propozimet e kandidatëve për Kryetar të Kuvendit paraqiten me shkrim në seancën e Kuvendit dhe përmbajnë emrin dhe mbiemrin e kandidatit me të dhëna biografike dhe arsyetim, si dhe emrat dhe mbiemrat e deputetëve të cilët paraqesin propozimin dhe nënshkrimet e tyre.
Radhitja e kandidatëve për Kryetar të Kuvendit përcaktohet sipas rendit alfabetik të mbiemrave të tyre.

Neni  24

Me votimin për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit udhëheq kryesuesi.
Nëse Kuvendi vendos që Kryetari i Kuvendit të zgjidhet me votim të fshehtë, kryesuesit gjatë zgjedhjes i ndihmojnë Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe tre deputetë, të cilët i zgjedh Kuvendi me propozim të kryesuesit nga radhët e deputetëve, të cilët u takojnë partive të ndryshme politike të përfaqësuara në Kuvend.

Neni 25

Deputeti ka të drejtë të votojë vetëm për njërin nga kandidatët e propozuar për Kryetar të Kuvendit.
Nëse deputeti voton për më shumë kandidatë për Kryetar të Kuvendit, votimi i tij konsiderohet i pavlefshëm.

Neni 26

Për Kryetar të Kuvendit është zgjedhur kandidati, i cili ka fituar shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
Nëse për Kryetar është propozuar një kandidat dhe nëse gjatë votimit të parë nuk e fiton shumicën e nevojshme të votave, përsëritet e tërë procedura zgjedhore.
Nëse për Kryetar janë propozuar dy kandidatë, dhe nëse në votimin e parë asnjëri nga kandidatët  nuk e  fiton shumicën e nevojshme të votave, votimi përsëritet.
Nëse për Kryetar të Kuvendit janë propozuar tre ose më shumë kandidatë, votimi përsëritet për dy kandidatët, të cilët kanë fituar numër më të madh të votave në votimin e parë.
Nëse mes kandidatëve me numër më të madh votash ka kandidatë me numër të njëjtë të votave, votimi përsëritet për të gjithë kandidatët me numër më të madh të votave.
Në qoftë se edhe në votimin e përsëritur asnjëri nga kandidatët nuk e fiton numrin e mjaftueshëm të votave, përsëritet e tërë procedura zgjedhore.

Neni 27

Dispozitat e kësaj Rregulloreje, që kanë të bëjnë me propozimin e kandidatëve dhe zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, zbatohen edhe gjatë propozimit të kandidatëve dhe zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit.

Neni 28

Për Nënkryetar të Kuvendit është zgjedhur kandidati, i cili ka fituar shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
Nëse për nënkryetar janë propozuar më shumë kandidatë nga numri i cili zgjidhet, ndërsa nuk është zgjedhur numri i parashikuar, do të përsëritet votimi për zgjedhjen e atij numri të nënkryetarëve të cilët nuk janë zgjedhur edhe atë në mes kandidatëve, të cilët kanë fituar numër më të madh të votave.
Në qoftë se edhe gjatë votimit të përsëritur nuk është zgjedhur numri i parashikuar i nënkryetarëve, përsëritet procedura për zgjedhjen e atyre nënkryetarëve të cilët nuk janë zgjedhur.
Nëse janë propozuar aq kandidatë sa është e nevojshme të zgjidhen, ndërsa nuk është zgjedhur numri i parashikuar, përsëritet e tërë procedura zgjedhore për atë numër të nënkryetarëve të cilët nuk janë zgjedhur.

III. TË DREJTAT DHE DETYRAT E DEPUTETËVE

1. Prania në seancë dhe pjesëmarrja në punimet e Kuvendit

Neni   29

Deputeti ka të drejtë dhe detyrë të jetë i pranishëm në seancat e Kuvendit dhe të marrë pjesë në punime dhe në vendimmarrje.

Neni  30

Deputeti, i cili është i penguar të jetë i pranishëm në seancën e Kuvendit, është i detyruar që për këtë ta njoftojë Kryetarin e Kuvendit deri në fillimin e seancës.

Neni 31

Kryetari i Kuvendit e thërret dhe e informon deputetin, i cili tri herë radhazi nuk ka qenë i pranishëm në seanca, ndërsa për mungesën e tij nuk e ka njoftuar Kryetarin e Kuvendit.
Për çdo mungesë të mëtejme të paarsyeshme, Kryetari i Kuvendit ia tërheq vërejtjen deputetit dhe për këtë e njofton Komisionin për Çështjet e Zgjedhjeve dhe Emërimeve, dhe koordinatorin e grupit të deputetëve.
Deputetit, i cili në seancat e Kuvendit mungon së paku tri herë radhazi, ndërsa për këtë nuk e ka njoftuar Kryetarin e Kuvendit, i hiqet 5% e rrogës për çdo ditë mungese,  ndërsa për këtë Komisioni për Çështjet e Zgjedhjeve dhe Emërimeve miraton akt.

Neni  32
Për praninë e deputetëve në seanca mbahet listë evidentimi, që është e hapur gjatë mbajtjes së seancës, ndërsa në fund të ditës së punës i dorëzohet Kryetarit të Kuvendit.
Të drejtë për shpenzimet ditore dhe të rrugës kanë vetëm deputetët, të cilët janë shënuar në listën evidentuese.
Për  rregullshmërinë e deputetëve, Kryetari i Kuvendit e njofton Kuvendin, në çdo gjashtë muaj.
Për mbajtjen e listës evidentuese kujdeset Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit.

2. Grupet e deputetëve 

Neni 33

Në Kuvend themelohen grupe të deputetëve.
Grupin e deputetëve e përbëjnë së paku pesë deputetë, të cilët i takojnë njërës, apo më shumë partive politike.
Deputeti mund të jetë anëtar vetëm i një grupi të deputetëve.
Grupi i deputetëve cakton koordinator të grupit të deputetëve dhe deri në dy zëvendës.
Grupi i deputetëve, Kryetarit të Kuvendit i paraqet listë të nënshkruar nga secili anëtar i grupit, nga koordinatori dhe zëvendësi i tij.
Grupi i deputetëve ka të drejtë në ndihmë profesionale dhe të drejtën të shfrytëzojë hapësirë të veçantë, në proporcion me numrin e deputetëve.
Për ndryshimin e përbërjes së grupit të deputetëve, koordinatorit dhe zëvendësit të tij njoftohet Kryetari i Kuvendit, i cili për këtë i njofton deputetët.

3. E drejta e informimit të deputetëve dhe sigurimi i kushteve për ushtrimin e funksionit deputet

Neni 34

Deputetëve u shpërndahen publikimet zyrtare që i boton Kuvendi, si dhe materiale informative dhe dokumentuese që i dërgohen Kuvendit, me qëllim të informimit të plotë të tyre, në formë të shtypur ose elektronike.
Deputeti ka të drejtë të kërkojë dhe të marrë informatë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit për çështje të rëndësishme në lidhje me ushtrimin e funksionit të deputetit.
Deputeti ka të drejtë të kërkojë dhe të marrë njoftim dhe ndihmë profesionale nga Shërbimi i Kuvendit për çështjet që kanë të bëjnë me punën e Kuvendit dhe trupat punues.
Deputeti ka të drejtë ta shfrytëzojë bibliotekën dhe dokumentacionin e Kuvendit për realizimin e të drejtave dhe detyrave të tij.

Neni 35

Deputetët kanë të drejtë t’i shfrytëzojnë ambientet e Kuvendit, që u janë dhënë në dispozicion për punë dhe takime, në përputhje me aktin për rendin e brendshëm të Kuvendit, të cilin e miraton Kryetari i Kuvendit.

Neni  36

Deputetët mund të organizohen në Klubin e deputetëve.
Organizimi, detyrat dhe mënyra e punës të Klubit të deputetëve rregullohen me rregullat e Klubit.

4. Pyetjet e deputetëve

Neni 37

Deputeti ka të drejtë që Kryetarit të Qeverisë së Republikës të Maqedonisë (Qeverisë), anëtarit të Qeverisë dhe bartësve të tjerë të funksioneve publike, të cilët janë përgjegjës para Kuvendit, t’u  parashtrojë pyetje që kanë të bëjnë me punën e tyre ose me punët nga kompetenca e tyre.
Pyetja duhet të jetë e shkurtër dhe precize.
Deputeti e ka për detyrë të përcaktojë se cilit ia drejton pyetjen.
Për pyetjet e deputetëve mbahet evidencë.
 
Neni 38

Në seancë pyetja parashtrohet gojarisht, ndërsa në kohën ndërmjet dy seancave parashtrohet me shkrim, përmes Kryetarit të Kuvendit.
Nëse pyetja ka të bëjë me bartësin e funksionit publik, i cili nuk është anëtar i Qeverisë, deputeti, parashtrimin e pyetjes do t’ia paralajmërojë Kryetarit të Kuvendit më së voni 24 orë para fillimit të seancës.

Neni  39

Për parashtrimin e pyetjeve të deputetëve thirret seancë e veçantë, të enjten e fundit të muajit.
Në seancë marrin pjesë Kryetari i Qeverisë dhe anëtarët e Qeverisë dhe bartësit e tjerë të funksioneve publike, për të cilët është paralajmëruar se do t’u parashtrohen pyetje.
Deputeti në një seancë mund të parashtrojë më së shumti tri pyetje.
Parashtrimi i pyetjeve të deputetëve nuk mund të zgjasë më shumë se dhjetë minuta, ndërsa deputeti ka të drejtë të deklarohet nëse është i kënaqur me përgjigjen, por jo më shumë se tri minuta.

Neni 40

Deputetët, për parashtrimin e pyetjeve të deputetëve, e njoftojnë me shkrim Kryetarin e Kuvendit 24 orë para mbajtjes së seancës.
Radhitjen e parashtrimit të pyetjeve të deputetëve e përcakton Kryetari i Kuvendit, në marrëveshje me koordinatorët e grupeve të deputetëve në mënyrë që të sigurohet që pyetje deputetësh të parashtrojnë deputetët e grupeve të ndryshme të deputetëve.

Neni 41

Pyetjen e parashtruar me shkrim, e cila është në përputhje me dispozitat e kësaj Rregulloreje, Kryetari i Kuvendit ia dërgon atij të cilit i është drejtuar.

Neni 42

Pyetjes së parashtruar me gojë i jepet përgjigje në seancën në të cilën është parashtruar pyetja.
Pyetjes së parashtruar Kryetarit të Qeverisë, përgjigje i jep Kryetari ose përfaqësuesi i caktuar i Qeverisë, pyetjes së parashtruar anëtarit të Qeverisë, përgjigje i jep anëtari i Qeverisë ndërsa pyetjes së parashtruar bartësit të funksionit publik, përgjigje i jep bartësi i funksionit publik.
Me përjashtim, nëse Kryetari i Qeverisë, përkatësisht përfaqësuesi i Qeverisë,  anëtari i saj, përkatësisht bartësi i funksionit publik deklaron se për shkaqe të arsyeshme nuk ka mundësi të përgjigjet me gojë në atë seancë, është i detyruar që në afat prej 20 ditësh përgjigjen ta japë me shkrim.
Përgjigjja me shkrim i dërgohet Kryetarit të Kuvendit, i cili menjëherë ia përcjell parashtruesit të pyetjes dhe gjithë deputeteve, ndërsa në seancën e parë të radhës për parashtrimin e pyetjeve të deputetëve, e njofton Kuvendin për përgjigjen e dhënë.

Neni 43

Deputeti që e ka parashtruar pyetjen, pas marrjes së përgjigjes ka të drejt të parashtrojë pyetje shtesë në kohëzgjatje prej tre minutash.

Neni 44

Nëse përgjigjja ka të bëjë me pyetje që paraqet sekret, Qeveria, përkatësisht bartësi i funksionit publik mund të propozojë që përgjigjja të jepet në seancën e Kuvendit pa praninë e publikut. Për këtë propozim vendos Kuvendi në përputhje me dispozitat e kësaj Rregulloreje.

5. Interpelanca

Neni 45

Interpelancë mund të paraqesin së paku pesë deputetë për punën e bartësit të funksionit publik, për Qeverinë dhe çdo anëtari të saj veças, si dhe për çështje lidhur me punën e organeve shtetërore.
Interpelanca paraqitet me shkrim, nënshkruhet nga të gjithë deputetët që e paraqesin dhe duhet të përmbajë arsyetim. Interpelanca i dorëzohet Kryetarit të Kuvendit, i cili menjëherë ia dërgon atij të cilit i është paraqitur dhe deputetëve.

Neni 46

Subjekti, të cilit i është paraqitur interpelanca, ka të drejtë që për interpelancën e paraqitur Kryetarit të Kuvendit t’i dërgojë përgjigje me shkrim, më së voni brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të interpelancës.

Neni 47

Interpelanca vihet në rend dite në seancën e parë të radhës të Kuvendit, pas skadimit të 15 ditëve nga dita e shpërndarjes së përgjigjes deputetëve.
Nëse përgjigjja nuk dërgohet brenda afatit të parashikuar me nenin 46 të kësaj Rregulloreje, interpelanca vihet në rend dite në seancën e parë të radhës të Kuvendit   

Neni 48

Të drejtën për ta arsyetuar interpelancën në seancën e Kuvendit e ka njëri nga deputetët që e kanë paraqitur interpelancën, në kohëzgjatje prej 20 minutash.
Subjekti të cilit i është paraqitur interpelanca ftohet në seancë dhe ka të drejtë ta arsyetojë përgjigjen e tij me shkrim ose të japë përgjigje me gojë për interpelancën e parashtruar, në kohëzgjatje prej 20 minutash.

Neni 49

Diskutimi për interpelancën zgjat më së shumti një ditë pune.
Deputetët për pjesëmarrje në diskutimin e interpelancës, e njoftojnë me shkrim Kryetarin e Kuvendit 24 orë para mbajtjes së seancës.
Radhitjen e deputetëve sipas grupeve të deputetëve dhe të deputetëve që nuk janë të organizuar në grupe të deputetëve, por që do të marrin pjesë në diskutim, e përcakton Kryetari i Kuvendit, në marrëveshje me koordinatorët e grupeve të deputetëve në mënyrë që të sigurohet që në diskutim të marrin pjesë deputetë nga grupe të ndryshme të deputetëve.
Pas përfundimit të diskutimit Kuvendi vendos për interpelancën.
Nëse Kuvendi e aprovon interpelancën, miraton konkluzion në të cilin paraqitet qëndrimi në lidhje me të dhënat në interpelancë.

Neni 50

Deputetët të cilët e kanë paraqitur interpelancën mund ta tërheqin vetëm para fillimit të diskutimit.

Neni 51

Diskutimi për interpelancën ndërpritet, nëse:
- i paraqitet mocion besimi Qeverisë,
- Qeveria jep dorëheqje,
- Kryetari i Qeverisë paraqet propozim për shkarkimin e anëtarit të Qeverisë për  punën e të cilit është parashtruar interpelanca, dhe
- bartësi i funksionit publik paraqet dorëheqje.

6. Ruajtja e sekretit

Neni 52

Deputeti është i detyruar ta ruajë sekretin shtetëror, zyrtar, ushtarak dhe të punës (sekret).
Për sekret konsiderohen të dhënat të cilat deputeti do t’i mësojë në seancën e Kuvendit ose në mbledhjen e trupit punues në lidhje me çështjen për të cilën diskutohet pa praninë e publikut.
Për sekret konsiderohen edhe të gjitha materialet që i dërgohen Kuvendit dhe trupave punues, e që si të tilla janë shënuar nga propozuesi i materialit.
Mënyra e manipulimit dhe e ruajtjes së materialeve që konsiderohen për sekret, rregullohet me akt të veçantë që e miraton Kryetari i Kuvendit.

7. Imuniteti i deputetëve

Neni 53

Deputeti gëzon imunitet prej ditës së verifikimit të mandatit, deri në pushimin e mandatit.
Kërkesën për dhënien e lejes për paraburgimin e deputetit, organi kompetent ia dërgon Kryetarit të Kuvendit. Nëse kërkesa nuk është dërguar nga organi kompetent, Kryetari i Kuvendit për këtë e njofton organin.
Njoftimin se deputeti është paraburgosur për shkak se është kapur në kryerje e sipër të veprës penale për të cilën është përcaktuar dënim me burg në kohëzgjatje prej së paku pesë vjetësh, organi kompetent ia dërgon Kryetarit të Kuvendit.
Organi kompetent e njofton Kryetarin e Kuvendit për paraburgimin e deputetit edhe atëherë kur ai nuk është thirrur në imunitet.
Kryetari i Kuvendit, kërkesën për dhënien e lejes për paraburgim, përkatësisht njoftimin se deputeti është paraburgosur ia dërgon menjëherë Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit. Komisioni është i detyruar ta shqyrtojë kërkesën, përkatësisht njoftimin dhe në afat prej dy ditësh t’i paraqesë raport Kryetarit të Kuvendit.
Për mbledhjen e Komisionit njoftohet edhe deputeti për të cilin ka të bëjë kërkesa.

Neni 54

Në bazë të raportit të Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit, Kuvendi më së voni në afat prej tri ditësh nga pranimi i kërkesës për paraburgim të deputetit, vendos për kërkesën.
Pas njoftimit për paraburgimin e deputetit i cili nuk është thirrur në imunitet, Kuvendi mund të vendosë që të aplikohet imuniteti ndaj deputetit, nëse kjo është e nevojshme për ushtrimin e funksionit të deputetit.
                
Neni 55

Dispozitat e kësaj Rregulloreje që i dedikohen imunitetit të deputetëve, në mënyrë përkatëse i dedikohen edhe imunitetit të Kryetarit të Qeverisë.

8. Pushimi dhe heqja e mandatit të deputetëve

Neni 56

Deputetit i pushon mandati ose mund t’i hiqet mandati vetëm në rastet dhe në mënyrën e përcaktuar me Kushtetutë, ligj dhe këtë Rregullore.

Neni 57

Deputeti mund të paraqesë dorëheqje.
Deputeti dorëheqjen e paraqet personalisht në seancë të Kuvendit dhe mund ta arsyetojë.
Kuvendi pa diskutim konstaton se deputetit i pushon mandati në ditën e mbajtjes së seancës.

Neni 58

Për deputetin e dënuar për vepër penale për të cilën është përcaktuar dënim me burg në kohëzgjatje prej më së paku pesë vjetësh,  njoftimin, Kryetarit të Kuvendit ia dërgon gjykata e cila e ka shqiptuar dënimin.
Kryetari këtë njoftim menjëherë ua shpërndan deputetëve.
Deputetit i cili është dënuar për vepër penale për të cilën është përcaktuar dënim me burg në kohëzgjatje prej më së paku pesë vjetësh, i pushon mandati. Kuvendi në seancën e parë të radhës konstaton se deputetit i pushon mandati prej ditës kur është dënuar dhe për këtë e njofton Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.

Neni 59

Për deputetin e dënuar për vepër penale ose vepër tjetër ndëshkuese që e bën të padenjë për ushtrimin e funksionit deputet, Kryetarit të Kuvendit njoftim i dërgon gjykata e cila e ka shqiptuar dënimin. Kryetari njoftimin menjëherë ia dërgon Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit.

Për deputetin i cili pa arsye ka munguar nga seancat e Kuvendit më shumë se gjashtë muaj, Kryetari i Kuvendit e njofton Komisionin për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit.

Propozim për heqjen e mandatit të deputetit në rastet nga paragrafët 1 dhe 2 të këtij neni, paraqet Komisioni për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit, në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së njoftimit nga Kryetari i Kuvendit.

Për propozimin e Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit për heqjen e mandatit të deputetit, Kuvendi diskuton në seancën e parë të radhës.

Diskutimi mund të përfundojë me marrjen e vendimit për heqjen e mandatit të deputetit ose me konkluzion se nuk ka elemente për heqjen e mandatit të deputetit.

IV. KRYETARI, NËNKRYETARËT DHE SEKRETARI I PËRGJITHSHËM I KUVENDIT

1. Kryetari i Kuvendit

Neni 60

Kryetari i Kuvendit:
- e përfaqëson Kuvendin,
- i thërret seancat e Kuvendit dhe kryeson me to,
- kujdeset për zbatimin e Rregullores dhe jep sqarime në lidhje me zbatimin e saj, për çka mund të kërkojë mendim nga Komisioni për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit,
- cakton trup punues kompetent për shqyrtimin e çështjeve të caktuara të dorëzuara në Kuvend (trup punues amë),
- e kontrollon rregullshmërinë e propozimit për ngritje të nismës qytetare për miratimin e ligjit, për shpalljen e referendumit në nivel shtetëror dhe për paraqitjen e propozimit për qasje ndaj ndryshimit të Kushtetutës,
- kujdeset për harmonizimin e aktiviteteve të Kuvendit me Presidentin e Republikës dhe me Qeverinë,
- bashkëpunon me koordinatorët e grupeve të deputetëve,
- në emër të Kuvendit realizon bashkëpunim ndërkombëtar me përfaqësuesit parlamentarë, diplomatikë-konsullorë dhe me përfaqësuesit e tjerë të shteteve të jashtme dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe me persona të huaj eminent,
- e ndjek punën e Shërbimit të Kuvendit, kujdeset për avancimin e punës së tij dhe për krijimin e kushteve për punë bashkëkohore dhe efikase,
- ia beson kryerjen e punëve të caktuara Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit,
- formon grupe punuese për shqyrtimin e çështjeve të caktuara në kompetencë të Kuvendit,
- miraton akte të përcaktuara me këtë Rregullore, dhe
- ushtron detyra të tjera të përcaktuara me Kushtetutë, ligj dhe me këtë Rregullore.

2. Nënkryetarët e Kuvendit

Neni 61

Nënkryetarët e Kuvendit i ndihmojnë Kryetarit të Kuvendit në kryerjen e punëve dhe kryejnë punë të tjera nga fushëveprimi i tij.
Në rast pengimi ose mungese të Kryetarit të Kuvendit, e zëvendëson njëri nga nënkryetarët sipas rendit të përcaktuar me ç'rast mbahet llogari për inkuadrimin e barabartë të nënkryetarëve.

Neni 62

Kryetari  i Kuvendit me nënkryetarët:
- kujdeset për realizimin e të drejtave të deputetëve dhe për sigurimin e kushteve në punën e tyre,
- e planifikon dinamikën e seancave të Kuvendit,
- vendos për pritjen e delegacioneve të parlamenteve të shteteve tjera dhe të përfaqësuesve të organeve dhe organizatave tjera nga jashtë dhe për dërgimin e delegacioneve të përhershme dhe të përkohshme jashtë vendit dhe në lidhje me këtë i koordinon aktivitetet e Kuvendit dhe të trupave punues,
- pranon që nën patronazhin e Kuvendit të mbahen kremtime të caktuara të ngjarjeve të cilat janë të rëndësishme për Republikën dhe cakton përfaqësues të Kuvendit në këto kremtime, dhe
- vendos për mbajtjen e mbledhjeve dhe formave të tjera të takimeve konsultative me rëndësi për punën e Kuvendit.
            
Neni 63

Kryetari i Kuvendit me nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve të deputetëve:
- shqyrton çështje me rëndësi për avancimin e punës së Kuvendit dhe të trupave punues,
- shqyrton çështje dhe nisma në lidhje me punën e Kuvendit, dhe
- i planifikon aktivitetet e delegacioneve, të grupeve të deputetëve për bashkëpunim me parlamentet tjera, të grupeve të përziera punuese dhe të deputetëve në realizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Kryetari i Kuvendit me nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve të deputetëve punon në bazë të harmonizimit të qëndrimeve.

3. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit

Neni 64

Kuvendi ka Sekretar të Përgjithshëm:
Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit e emëron Kuvendi me propozimin e Komisionit për Çështjet e Zgjedhjeve dhe Emërimeve.
Sekretari i Përgjithshëm i kryen punët që do t’ia besojë Kryetari i Kuvendit.
Sekretari i Përgjithshëm i ndihmon Kryetarit të Kuvendit në përgatitjet dhe organizimin e seancave të Kuvendit dhe ushtron punë të tjera të përcaktuara me këtë Rregullore.
Sekretari i Përgjithshëm e organizon dhe harmonizon punën e Shërbimit të Kuvendit dhe miraton rregullore, udhëzime dhe akte të tjera për punën e Shërbimit.

Neni 65

Kuvendi emëron një apo më shumë zëvendëssekretarë të përgjithshëm me propozimin e Komisionit për Çështjet e Zgjedhjeve dhe të Emërimeve.
Zëvendësi i ndihmon Sekretarit të Përgjithshëm në kryerjen e punës së Sekretarit të Përgjithshëm dhe e zëvendëson në rast mungese apo pengimi.

Neni 66

 Për punën e vet dhe për punën e Shërbimit të Kuvendit, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe Zëvendëssekretari i Përgjithshëm përgjigjen para Kuvendit, ndërsa për punët që ua beson Kryetari i Kuvendit, i përgjigjen edhe Kryetarit të Kuvendit.

V. SEANCA E KUVENDIT

1. Thirrja e seancës dhe propozimi i rendit të ditës
     
Neni 67

Seancën e Kuvendit e thërret Kryetari i Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit mund të thërrasë seancë edhe me kërkesë të Presidentit të Republikës,  Qeverisë dhe së paku të 20 deputetëve.

Neni 68

Vendimi për thirrjen e seancës së Kuvendit me propozim-rendin e ditës dhe materialet për çështjet që propozohen për rendin e ditës të seancës, deputetëve u dërgohen së paku 10 ditë para ditës së caktuar për mbajtjen e seancës.
Në raste urgjente, Kryetari i Kuvendit mund të thërrasë seancë edhe në afat më të shkurtuar se 10 ditë, ndërsa rendin e ditës me materialet mund ta propozojë edhe në seancë.
 Për thirrjen e seancës dhe për propozimin e rendit të ditës, Kryetari i Kuvendit i njofton Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e Qeverisë.
Seanca e Kuvendit mbahet prej orës 11,00 deri në orën 18,00, me një orë pushim, nëse Kryetari i Kuvendit, për seanca të caktuara nuk vendos ndryshe.

Neni 69

Rendin e ditës për seancën e Kuvendit e propozon Kryetari i Kuvendit, kurse e përcakton Kuvendi në fillim të seancës.
Në propozim-rendin e ditës Kryetari i Kuvendit i inkorporon çështjet të cilat i përmbushin kushtet e përcaktuara me këtë Rregullore.
           
Neni 70

Deputeti dhe Qeveria deri në përcaktimin e rendit të ditës të seancës, mund të propozojnë inkorporimin e pikave në rendin e ditës, vetëm në raste të nevojës urgjente dhe të pashtyeshme.
Propozuesit nga paragrafi 1 të këtij neni janë të detyruar të paraqesin material me shkrim dhe ta arsyetojnë urgjencën.
Deputeti dhe Qeveria pas thirrjes së seancës, mund të propozojnë shtyrjen apo tërheqjen e pikave të caktuara të rendit të ditës dhe për këtë të japin arsyetim.

2. Kryesimi me seancën

Neni 71

Me seancën e Kuvendit kryeson Kryetari i Kuvendit.
Në rast të pengimit ose mungesës së Kryetarit të Kuvendit, atë e zëvendëson njëri nga nënkryetarët e Kuvendit.
Nëse edhe nënkryetarët janë të penguar ose mungojnë në seancën e Kuvendit, zgjidhet deputeti i cili do të kryesojë me seancën. Deri në zgjedhjen e deputetit i cili do të kryesojë me seancën, seancën e hap dhe me të kryeson deputeti i pranishëm më i vjetër në moshë.

3. Prania dhe pjesëmarrja në punimet e seancës

Neni 72

Në seancën e Kuvendit mund të jenë të pranishëm dhe në punimet e saj të marrin pjesë Presidenti i Republikës, Kryetari i Qeverisë, ministrat dhe përfaqësuesi i autorizuar i propozuesit të ligjit të cilin e kanë paraqitur së paku 10.000 zgjedhës.
Kryetari i Kuvendit në seancën e Kuvendit mund të ftojë të jenë të pranishëm dhe në punimet e saj të marrin pjesë përfaqësues edhe të organeve dhe të organizatave të tjera kur shqyrtohen çështje në kompetencë të tyre.

Neni 73

Kryetari i Kuvendit mund të ftojë që në seancën e Kuvendit të marrin pjesë në cilësi të mysafirit dhe të mbajnë fjalim përfaqësues të lartë parlamentarë dhe shtetërorë të shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare dhe personalitete të tjera  eminente nga jashtë.

4. Zhvillimi i seancës

Neni 74

Seanca e Kuvendit punimet i fillon në kohën e caktuar me deputetët e pranishëm.
Kryetari i njofton deputetët për atë se kush është i ftuar të marrë pjesë në seancën e Kuvendit.

Neni 75

Para përcaktimit të rendit të ditës, miratohen procesverbalet e seancave të Kuvendit.
 Deputeti mund të bëjë vërejtje për procesverbalin dhe të kërkojë që në të, të bëhen ndryshime dhe plotësime përkatëse.
Për vërejtjet e procesverbalit vendoset pa diskutim.
Kryetari i Kuvendit konstaton se është miratuar procesverbali të cilit nuk i janë bërë vërejtje, përkatësisht procesverbali në të cilin janë bërë ndryshime dhe plotësime.
Procesverbalin e miratuar e nënshkruajnë Kryetari i Kuvendit ose kryesuesi i seancës së Kuvendit dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit.
 
Neni 76

Para përcaktimit të rendit të ditës, Kryetari i Kuvendit i njofton deputetët për propozimet që kanë të bëjnë me inkorporimin, shtyrjen ose tërheqjen e pikave të propozim-rendit të ditës, në përputhje me nenin 70 të kësaj Rregulloreje.

Neni 77

Kuvendi pa diskutim deklarohet për çdo propozim që ka të bëjë me ndryshimin dhe plotësimin e rendit të propozuar të ditës dhe për propozim-rendin e ditës të seancës në tërësi.
Kur në propozim-rendin e ditës do të bëhen më tepër ndryshime dhe plotësime, rendi i përcaktuar i ditës u shpërndahet deputetëve gjatë mbajtjes së  seancës.

Neni 78

Shqyrtimi i pikave të rendit të ditës bëhet sipas radhës së përcaktuar të rendit të ditës.
Gjatë seancës, me propozimin e Kryetarit të Kuvendit, të propozuesit ose deputetit të cilin e përkrahin së paku 10 deputetë, Kuvendi pa diskutim vendos për çdo propozim për ndryshimin e rendit të diskutimit të pikave të rendit të ditës, përkatësisht të mbahet diskutim unik për pikat e rendit të ditës që kanë lidhshmëri të ndërsjellë.

Neni 79

Kuvendi nuk mund të diskutojë për çështje për të cilat trupi punues amë dhe Komisioni Juridiko-Ligjvënës nuk kanë marrë qëndrim, nëse me këtë Rregullore nuk është rregulluar ndryshe.

Neni 80

Në fillim të shqyrtimit për çdo pikë të rendit të ditës propozuesi, përkatësisht përfaqësuesi i propozuesit, mund të japë arsyetime ose sqarime plotësuese.
Shqyrtimi zgjat derisa të përfundojë lista e deputetëve, të cilët janë paraqitur për fjalë. Deputetët paraqiten për fjalë brenda 1 minute pas hapjes së shqyrtimit. Lista e deputetëve nuk mund të ndryshohet dhe të plotësohet gjatë shqyrtimit.
Propozuesi dhe koordinatorët e grupeve të deputetëve mund të paraqiten për fjalë edhe gjatë shqyrtimit.
Kryetari i Kuvendit konstaton se shqyrtimi ka mbaruar kur do të konfirmojë se lista e deputetëve të paraqitur për fjalë ka përfunduar.
                                 
Neni 81

Kryetari i Kuvendit mund ta ndërpresë seancën nëse nuk ka shumicë deputetësh të nevojshëm për vendimmarrje dhe në raste të tjera kur do të vlerësojë se kjo është e domosdoshme.
Kryetari i Kuvendit e ndërpret seancën (pauzë) me  kërkesë të koordinatorit të grupit të deputetëve. Koordinatori i grupit të deputetëve gjatë ditës vetëm një herë mund të kërkojë ndërprerje të seancës në kohëzgjatje prej një ore.
Kryetari i Kuvendit e ndërpret seancën me kërkesë të koordinatorit të grupit të deputetëve për shkak të shpërndarjes së shënimeve stenografike nga diskutimi ose arsyetimi i propozuesit, të cilin e paraqet në fillim të diskutimit të pikës së rendit të ditës.
Kuvendi mund të vendosë që seanca të ndërpritet me kërkesën e kryetarit të trupit punues ose të koordinatorit të grupit të deputetëve për shkak  të mbajtjes së mbledhjes së trupit punues.
Kohën për vazhdimin e seancës së ndërprerë e cakton Kryetari i Kuvendit.
                                          
Neni 82

Kuvendi, diskutimin për çdo pikë të rendit të ditës mund ta përfundojë me:
- miratimin e aktit,
- miratimin e konkluzionit, ose
- me kalim të thjeshtë.

Neni 83

Pas absolvimit të pikave të rendit të ditës, Kryetari i Kuvendit konstaton se seanca ka përfunduar.

5. Diskutimet

Neni 84

Në seancën e Kuvendit askush nuk mund të diskutojë para se të kërkojë dhe të marrë fjalë nga Kryetari i Kuvendit.

Neni 85

Kryetari i Kuvendit kujdeset që diskutuesi të mos ndërpritet ose me ndonjë veprim tjetër të mos i kufizohet liria e fjalës.
Kryetari i Kuvendit deputetëve ua jep fjalën sipas rendit në listën e të paraqiturve për diskutim.
Deputeti i cili paraqitet për diskutim, ndërkaq nuk është i pranishëm në sallë kur thirret që ta merr fjalën, e humb të drejtën e fjalës për diskutim për të cilin është paraqitur dhe nuk ka të drejt të paraqitet përsëri për diskutimin e njëjtë.

Neni 86

Deputeti gjatë shqyrtimit mund të diskutojë vetëm një herë në kohëzgjatje prej 10 minutash, referuesi i trupit punues amë dhe i Komisionit Juridiko-Ligjvënës 10 minuta, koordinatori i grupit të deputetëve dhe propozuesi mund të diskutojnë disa herë, por jo më shumë se 15 minuta gjithsej.
Përfaqësuesi i Qeverisë kur nuk është propozues, mund të diskutojë vetëm një herë, më së shumti 15 minuta.
Kufizimet e kohës për diskutim nga paragrafi 1 i këtij neni nuk kanë të bëjnë me procedurën për ndryshimin e Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë, procedurën për miratimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë, ngritjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë së Presidentit të Republikës dhe për mocionin e besimit të Qeverisë.
                                                
Neni 87

Kryetari i Kuvendit ia jep fjalën propozuesit sapo ta kërkojë atë.
             
Neni 88

Koordinatorit të grupit të deputetëve, zëvendës-koordinatorit dhe deputetëve, që nuk janë anëtarë të grupit të deputetëve, që duan të marrin fjalë në lidhje me shkeljen e Rregullores, Kryetari ua jep fjalën sapo ta kërkojnë atë.
Koordinatori i grupit të deputetëve, zëvendës-koordinatori i grupit të deputetëve dhe deputetët që nuk janë anëtarë të grupit të deputetëve, janë të detyruar ta cekin dispozitën e Rregullores dhe ta arsyetojnë se ku është bërë shkelja e dispozitës.
Diskutimi nuk mund të zgjasë më shumë se tre minuta.
Pas mbarimit të diskutimit Kryetari i Kuvendit jep sqarime.

Neni 89

Deputetit, i cili ka kërkuar fjalë që të korrigjojë thënie të transmetuar në mënyrë të pasaktë ose thënie që ka shkaktuar mosmarrëveshje, Kryetari do t’ia japë fjalën (replikë), kur do ta përfundojë diskutimin ai që e ka shkaktuar nevojën për korrigjim.
Deputeti paraqitet për replikë ndaj diskutimit të deputetit të cilit dëshiron t’i bëjë replikë, derisa nuk fillon të diskutojë deputeti i parë që është paraqitur për replikë.
Ndaj diskutimit të deputetit lejohet vetëm një replikë. Gjatë diskutimit deputeti doemos duhet të kufizohet në korrigjimin dhe kjo nuk mund të zgjasë më shumë se tre minuta.
Replika ndaj replikës lejohet një herë në kohëzgjatje prej 1 minute.

Neni 90

Diskutuesi mund të flasë vetëm për çështjen e cila shqyrtohet.
Nëse diskutuesi largohet nga çështja, Kryetari i Kuvendit do t’ia tërheq vëmendjen që t’i përmbahet çështjes.
Nëse diskutuesi nuk i përmbahet çështjes, edhe pasi t’i tërhiqet vëmendja për herë të dytë,  Kryetari ia merr fjalën.
Diskutuesi e ka për detyrë që gjatë diskutimit të tij ta respektojë dinjitetin e Kuvendit.

6. Mbajtja e rendit

Neni 91

Për mbajtjen e rendit në seancë kujdeset Kryetari i Kuvendit.
Për prishjen e rendit të seancës, Kryetari i Kuvendit mund t’i bëjë vërejtje dhe t’ia marrë fjalën deputetit.

Neni 92

Kryetari i Kuvendit do t’i bëjë vërejtje deputetit nëse me sjelljen e tij, nëse merr fjalë kur Kryetari nuk ia ka dhënë fjalën, ndërhyn në fjalën e diskutuesit ose nëse me veprime të ngjashme e prish rendin e seancës.
Kryetari i Kuvendit do t’ia marrë fjalën deputetit, kur ai me diskutimin e tij në seancë e prish rendin, ndërsa në të njëjtën seancë dy herë i është tërhequr vëmendja që t’i përmbahet rendit të seancës.

Neni 93

Kryetari i Kuvendit e përjashton deputetin nga seanca, kur edhe krahas vërejtjes, përkatësisht marrjes së fjalës e prish rendin e seancës ose përdor shprehje me të cilat cenohet dinjiteti i Kuvendit.
Deputeti i cili është përjashtuar nga seanca, është i detyruar që menjëherë ta lëshojë sallën ku mbahet seanca.
Nëse Kryetari i Kuvendit nuk mund ta mbajë rendin e seancës, do ta ndërpresë për një kohë të shkurtuar seancën.

Neni 94

Dispozitat për mbajtjen e rendit të seancës së Kuvendit kanë të bëjnë me të gjithë pjesëmarrësit në seancë.

7. Vendimmarrja

Neni 95

Kuvendi mund të vendos nëse në seancë marrin pjesë shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve.
Kuvendi vendos me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe së paku me një të tretën e numrit të përgjithshëm të deputetëve, nëse me Kushtetutë nuk është parashikuar shumicë e veçantë.
Kryetari i Kuvendit kumton numrin e deputetëve që kanë votuar "pro", "kundër" ose "abstenim", si dhe numrin e deputetëve që janë të pranishëm.
Kryetari i Kuvendit mund të kërkojë të verifikohet numri i deputetëve të pranishëm me numërim.
Numri i verifikuar i deputetëve të pranishëm konsiderohet i saktë derisa Kryetari ose një deputet, kërkesën e të cilit e përkrahin së paku dhjetë deputetë, nuk kërkon që rishtazi të verifikohet numri i deputetëve të pranishëm.

8. Votimi

Neni 96

Votimi i hapur bëhet me përdorimin e mjeteve teknike ose me ngritjen e dorës.
Mënyra për përdorimin e mjeteve teknike rregullohet me aktin që e miraton Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit.

Neni 97

Votimi mund të bëhet edhe me deklarim nominal të deputetëve.
Deklarimi nominal mund të bëhet me qëllim të verifikimit të saktë të rezultateve të votimit, me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit ose të një deputeti, kërkesën e të cilit e mbështesin së paku dhjetë deputetë, vetëm nëse propozimi për të cilin votohet ka fituar deri në pesë vota më shumë ose më pak nga numri i përgjithshëm i votave për miratimin e tij.
Votimi nominal bëhet me deklarimin e secilit deputet të thirrur me "pro" ose "kundër" propozimit ose me abstenim nga votimi.
Nëse deputeti kur thirret të votojë nuk është i pranishëm në sallë, nuk mund të votojë në mënyrë plotësuese.
Thirrjen e deputetëve e bën Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit e shpall rezultatin e votimit pas deklarimit të deputetëve.
 
Neni 98

Votimi i fshehtë bëhet me fletëvotime.
Fletëvotimet doemos duhet të jenë me madhësi dhe me ngjyrë të njëjtë.
Me votimin e fshehtë udhëheq Kryetari i Kuvendit, të cilit i ndihmon Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe tre deputetë nga grupet e ndryshme parlamentare, ose prej deputetëve të cilët nuk janë të organizuar në grupe deputetësh, të cilët i zgjedh Kuvendi me propozimin e Kryetarit të Kuvendit.
Çdo fletëvotimi i vihet vula e Kuvendit.

Neni 99

Para se të kalohet në votim të fshehtë, Kryetari i Kuvendit i jep sqarimet e nevojshme për mënyrën e votimit.

Neni 100

Në fletëvotimin për zgjedhjen, përkatësisht për emërimin e bartësve të funksioneve publike dhe funksioneve të tjera, shënohet funksioni për të cilin bëhet zgjedhja, përkatësisht emërimi dhe emrat e mbiemrat e kandidatëve veças, sipas rendit alfabetik të mbiemrave të tyre.
Para emrit dhe mbiemrit të çdo kandidati vihet numri rendor.
Gjatë votimit të fshehtë për zgjedhjen, përkatësisht emërimin e bartësve të funksioneve publike dhe funksioneve të tjera, deputetët votojnë në atë mënyrë që e rrethojnë numrin rendor para emrit dhe mbiemrit të kandidatit.
Konsiderohet i pavlefshëm fletëvotimi, prej të cilit nuk mund të konstatohet me saktësi se për cilin kandidat ka votuar deputeti.

Neni 101

Në fletëvotimin për shkarkim shënohet emri dhe mbiemri i bartësit të funksionit publik dhe të funksionit tjetër, shkarkimi i të cilit propozohet dhe fjalët "pro" dhe "kundër".
Gjatë votimit për shkarkim, deputetët votojnë me rrethimin e njërës nga fjalët e shënuara.
Konsiderohet i pavlefshëm fletëvotimi, prej të cilit nuk mund të konstatohet me saktësi se si ka votuar deputeti.

Neni 102

Votimi i fshehtë për propozimin në tërësi bëhet në atë mënyrë që në fletëvotim shënohet propozimi dhe fjalët "pro" dhe "kundër", ndërsa votimi bëhet me rrethimin e njërës nga fjalët e shënuara.

Neni 103

Kryetari i Kuvendit pas përfundimit të votimit i kumton rezultatet e votimit dhe në bazë të rezultatit konstaton nëse propozimi për të cilin është votuar është miratuar ose është refuzuar.

9. Procesverbali dhe shënimet stenografike
     
Neni 104

Për punimet e seancës së Kuvendit mbahet procesverbal.
Procesverbali i përmban të dhënat themelore për punimet e seancës, propozimet e paraqitura dhe konkluzionet e miratuara në lidhje me çështjet e rendit të ditës.

Neni 105

Procesverbali, sipas rregullit, u shpërndahet të gjithë deputetëve më se voni tri ditë para mbajtjes së seancës në të cilën duhet të miratohet.

Neni 106

Për përgatitjen e procesverbaleve dhe për ruajtjen e origjinaleve të procesverbaleve të seancave të Kuvendit kujdeset Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit.

Neni 107

Për punimet e seancës së Kuvendit mbahen shënime stenografike.
Pjesë përbërëse e shënimeve stenografike janë edhe diskutimet e pambajtura të deputetëve, të cilat në seancë, gjatë shqyrtimit, janë paraqitur me shkrim me shenjën se diskutimi nuk është mbajtur në seancë.
Shënimet stenografike për punimet e seancës së Kuvendit ruhen në dokumentacionin e Kuvendit në formë digjitale elektronike dhe në kopje të fortë.
Shënimet stenografike publikohen në Intranet (rrjetin e brendshëm të Kuvendit) dhe në ueb faqen e Kuvendit (Internet).
Mënyra e publikimit të shënimeve stenografike në Intranet dhe në ueb faqen e Kuvendit, e drejta e deputetëve që të bëjnë korrigjime në shënimet stenografike dhe afatet, rregullohen me akt të cilin e miraton Kryetari i Kuvendit.   

VI. ZGJEDHJET, EMËRIMET, DORËHEQJET DHE SHKARKIMET

1. Zgjedhja e trupave punues të Kuvendit, delegacioneve të përhershme dhe grupeve të deputetëve për bashkëpunim

Neni 108

Zgjedhja e kryetarit dhe anëtarëve të trupave punues dhe zëvendësve të tyre, e shefave, anëtarëve dhe zëvendësanëtarëve të delegacioneve të përhershme të Kuvendit në asambletë parlamentare ndërkombëtare dhe e kryetarëve dhe anëtarëve të grupeve të deputetëve të Kuvendit për bashkëpunim me parlamentet e tjera, bëhet nga radhët e deputeteve të Kuvendit me propozimin e Komisionit për Çështjet e Zgjedhjeve dhe  Emërimeve, e në bazë të listës që e propozojnë grupet e deputetëve.
Në propozimin e Komisionit sigurohet përfaqësimi adekuat i deputetëve të grupeve të deputetëve dhe deputetëve që nuk janë të organizuar në grupe të deputetëve.
Kryetari dhe zëvendëskryetari i Komisionit të Përhershëm Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarit propozohen nga radhët e deputetëve të opozitës.
Çdo propozim përmban aq kandidatë sa anëtarë zgjidhen në trupin punues, përkatësisht në delegacionet e përhershme dhe grupet e deputetëve për bashkëpunim.
Çdo deputet ka të drejt të deklarohet se në cilin trup punues dëshiron të jetë anëtar.
Propozimi nga paragrafi 1 i këtij neni i paraqitet Kryetarit të Kuvendit, i cili ua shpërndan deputetëve.

2. Zgjedhja e Qeverisë

Neni 109

Kuvendi e zgjedh Qeverinë, në mënyrë dhe sipas procedurës së përcaktuar me Kushtetutë dhe me këtë Rregullore.

Neni 110

Kryetari i Kuvendit, në afat prej tri ditësh nga dita e marrjes së njoftimit nga Presidenti i Republikës, i njofton deputetët për kandidatin për Kryetar të Qeverisë (mandatar).

Neni 111

Mandatari, në afat prej 20 ditësh nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit ia paraqet propozimin për formimin e Qeverisë dhe programin.
Propozimi për përbërjen e Qeverisë paraqitet në formë të shkruar. Propozimi përmban emrin dhe mbiemrin e kandidatit për Kryetar të Qeverisë dhe të kandidatëve për ministra, me të dhëna biografike.
Propozimin për përbërjen e Qeverisë dhe programin, Kryetari i Kuvendit menjëherë ua shpërndan deputetëve.
Seanca për zgjedhjen e Qeverisë mbahet në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së propozimit për përbërjen e Qeverisë dhe programin. Mandatari e arsyeton programin dhe propozimin për përbërjen e Qeverisë në seancën e Kuvendit, në të cilën bëhet zgjedhja e Qeverisë.

Neni 112

Për programin e mandatarit dhe propozimin për përbërjen e Qeverisë, Kuvendi mban diskutim unik.  Diskutimi zgjat më së shumti dy ditë.
Radhën e deputetëve, të cilët do të marrin pjesë në diskutim, e përcakton Kryetari i Kuvendit në mënyrë që t’u sigurojë pjesëmarrje në diskutim deputetëve të partive të ndryshme politike të përfaqësuara në Kuvend.
Votimi për zgjedhjen e Qeverisë bëhet sipas propozimit për përbërjen e Qeverisë në tërësi, me votim të hapur. Votimi bëhet pas përfundimit të diskutimit, e më së voni në orën 24,00.
Qeveria zgjidhet nëse për të kanë votuar shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Neni 113

Kryetari i Kuvendit e njofton Presidentin e Republikës për zgjedhjen e Qeverisë.

3. Zgjedhjet, emërimet dhe shkarkimet e bartësve të funksioneve publike dhe funksioneve të tjera

Neni 114

Kuvendi bën zgjedhjet, emërimet dhe shkarkimet e bartësve të funksioneve publike dhe funksioneve të tjera në mënyrë të përcaktuar më Kushtetutë dhe me ligj.

4. Dorëheqjet

Neni 115

Çdo bartës i funksionit publik ose i funksionit tjetër që e zgjedh ose e emëron Kuvendi ka të drejtë të paraqesë dorëheqje dhe mund ta arsyetojë atë në kohëzgjatje prej 15 minutash.
Kuvendi në seancën e parë të radhës, pa diskutim, konstaton se bartësit të funksionit publik ose të funksionit tjetër i pushon mandati në ditën e mbajtjes së seancës.

VII. DHËNIA E DEKLARATËS SOLEMNE

Neni 116

Kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët e Kuvendit, Kryetari i Qeverisë, ministrat dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë, para marrjes së detyrës, japin deklaratë solemne para Kuvendit. Teksti i deklaratës solemne është si vijon:
"Deklaroj se funksionin (theksohet funksioni) do ta ushtroj me ndërgjegje dhe me përgjegjësi dhe do ta respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë".
Tekstin e deklaratës solemne në seancën e Kuvendit e lexon Kryetari i Kuvendit ose kryesuesi.
Deklarata solemne nënshkruhet dhe i dorëzohet Kryetarit të Kuvendit.
Bartësit e funksioneve të tjera publike, të cilët i zgjedh ose i emëron Kuvendi, deklaratën solemne e japin dhe e nënshkruajnë para Kryetarit të Kuvendit.

VIII. TRUPAT PUNUES TË KUVENDIT

Neni 117

Kuvendi themelon trupa punues të përhershëm dhe të përkohshëm.
Trupat punues shqyrtojnë propozime të ligjeve dhe të akteve të tjera, të cilat i miraton Kuvendi, si dhe çështje të tjera në kompetencë të Kuvendit dhe kryejnë punë të tjera të përcaktuara me këtë Rregullore.

Neni 118

Trupat e përhershëm punues themelohen me vendim të Kuvendit.
Për kryerjen e detyrave të veçanta, Kuvendi me vendim themelon edhe trupa të përkohshëm punues.
Kuvendi me vendim mund të themelojë komisione anketuese, për të gjitha fushat dhe për çdo çështje me interes publik.
Me vendimin për themelimin e trupave punues dhe të komisioneve anketuese, përcaktohet fushëveprimi dhe numri i anëtarëve.
Përbërja e trupave punues dhe të komisioneve anketuese përcaktohet me vendim të Kuvendit, varësisht nga numri i deputeteve në grupet parlamentare, nga deputetët të cilët nuk janë të organizuar në grupe të deputetëve dhe në përputhje me Ligjin për mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve.

Neni 119

Trupi punues ka kryetar, zëvendëskryetar, numër të caktuar anëtarësh dhe zëvendës të tyre.
Trupi punues mund të ketë dy anëtarë nga radhët e punonjësve shkencorë dhe profesionalë, prej të cilëve njëri zgjidhet me propozim të grupeve të deputetëve nga partitë në pushtet, kurse tjetri me propozim të grupeve të deputetëve nga partitë në opozitë.
Anëtarët e trupit punues nga paragrafi 2 i këtij neni, nuk mund të jenë anëtarë të organeve të partive politike, ndërsa në punimet e trupit punues marrin pjesë pa të drejtë vendimmarrjeje.

Neni 120

Trupi punues punon në mbledhje.
Mbledhjen e trupit punues e thërret kryetari i trupit punues. Kryetari thërret mbledhje edhe nëse këtë e kërkon Kryetari i Kuvendit ose së paku një e treta e anëtarëve të trupit, të cilët duhet të paraqesin material për çështjen të cilën e propozojnë që të vihet në rend dite të mbledhjes.
Nëse kryetari i trupit punues nuk thërret mbledhje kur është i detyruar ta bëjë këtë, mbledhjen e thërret Kryetari i Kuvendit.
Ftesën për mbledhje me propozim-rendin e ditës dhe materialet të cilat do të shqyrtohen në mbledhje, kryetari i trupit punues ua shpërndan anëtarëve të trupit punues sipas rregullit pesë ditë para ditës së mbajtjes së mbledhjes.
Në raste urgjente mbledhja e trupit punues mund të mbahet në afat më të shkurtër, ndërsa rendi i ditës mund të paraqitet edhe në vetë mbledhjen.
Për mbajtjen e mbledhjes së trupit punues njoftohen deputetët nëpërmjet informatorit ditor.
Kryetari i trupit punues, për mbledhjen e thirrur e njofton Qeverinë dhe përfaqësuesin e propozuesit për çështjet dhe propozimet të cilat trupi punues do t'i shqyrtojë.

Neni 121

Në mbledhjen e trupit punues mund të jetë i pranishëm dhe në punime të marrë pjesë përfaqësuesi, përkatësisht i besuari i Qeverisë, përfaqësuesi i organit të administratës shtetërore, kur në mbledhje shqyrtohet çështje që ka të bëjë me fushëveprimin e tyre, si dhe çdo parashtrues, propozimi i të cilit shqyrtohet.
Në mbledhjen e trupit punues, mund të marrë pjesë edhe përfaqësuesi i autorizuar i propozuesit të ligjit, i paraqitur prej së paku 10.000 zgjedhësve.
Deputeti i cili nuk është anëtar i trupit punues, ka të drejtë të jetë i pranishëm në mbledhjen e trupit punues dhe të marrë pjesë në punimet e tij, pa të drejtë vendimmarrjeje.

Neni 122

Trupat punues, me qëllim të kryerjes së punëve dhe detyrave nga fushëveprimi i tyre, mund të kërkojnë të dhëna dhe informacione nga organet e administratës shtetërore dhe nga organet dhe organizatat e tjera.
Trupi punues, në mbledhje mund të ftojë punonjës shkencorë, profesionalë dhe publikë dhe përfaqësues komunash, të Qytetit të Shkupit dhe të ndërmarrjeve publike, të sindikatave dhe organizatave të tjera, të instituteve dhe shoqatave me qëllim të dhënies së mendimeve për çështjet që shqyrtohen në mbledhjen e trupit.

Neni 123

Trupat punues nuk mund të kenë funksione hetuese ose funksione të tjera gjyqësore.

Neni 124

Rendi i ditës i mbledhjes së trupit punues përcaktohet në fillim të mbledhjes.
Në rendin e ditës mund të inkorporohen edhe çështje të cilat i kanë propozuar deputetët, Kryetari i Kuvendit dhe Qeveria.
Nismë për shqyrtimin e çështjeve të caktuara në trupin punues, mund të ngrenë edhe trupat e tjerë punues të Kuvendit, organet e administratës shtetërore, komunat, Qyteti i Shkupit, institucionet, shoqatat e qytetarëve.

Neni 125

Propozim-ligjet dhe aktet e tjera i shqyrtojnë trupi punues amë dhe Komisioni Juridiko-Ligjvënës.
Propozim-ligjet dhe aktet e tjera mund t'i shqyrtojnë edhe trupat e tjerë punues (trupi i interesuar punues).
Trupi punues amë merr qëndrim në bazë të mendimeve dhe propozimeve të trupit  të interesuar punues.
Në mbledhjen e trupit punues amë, në të cilën diskutohet për mendimin e trupit të interesuar punues, ftohet dhe përfaqësuesi i trupit të interesuar punues.
Kryetarët e trupit amë dhe trupit të interesuar punues mund të bien dakord që të mbajnë mbledhje të përbashkët. Trupat punues në mbledhjen e përbashkët votojnë ndaras.
Nëse trupi punues amë nuk e miraton mendimin e trupit të interesuar punues, raportuesi i trupit të interesuar punues, mendimin mund ta paraqesë në seancën e Kuvendit.
Trupat punues mund të bashkëpunojnë me trupat punues përkatës të kuvendeve të shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare.

Neni 126

Për prezencën e anëtarëve të trupit punues, mbahet evidencë.
Anëtari i trupit punues, i cili është i penguar të marrë pjesë në mbledhje është i detyruar që me kohë ta njoftojë kryetarin e trupit punues.
Anëtarit të trupit punues, i cili mungon së paku tre herë nga mbledhjet e trupit punues dhe për këtë nuk e ka njoftuar kryetarin e trupit punues, i hiqet 5% nga paga për çdo ditë mungese, për çka akt miraton Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve.
Trupi punues mund të propozojë që Kuvendi të shkarkojë anëtar të trupit punues i cili tre herë në mënyrë të njëpasnjëshme pa arsye ka munguar nga mbledhjet e trupit.

Neni 127

Për shqyrtimin e çështjeve të caktuara nga fushëveprimi i tij ose për përgatitjen e propozim-akteve, trupat punues mund të themelojnë grupe pune. Anëtarët e grupeve punuese caktohen nga radhët e anëtarëve të trupit punues, të deputetëve,   punonjësve shkencorë, profesionalë dhe publikë, si dhe nga  përfaqësues të organeve të administratës shtetërore dhe nga organe dhe organizata të tjera.
Grupet punuese veprojnë në kuadër të trupit punues dhe nuk mund të kenë paraqitje të pavarur.
Grupet punuese i paraqesin raport trupit punues.
                       
Neni 128

Trupi punues merr qëndrim për çdo çështje të cilën e shqyrton dhe i paraqet  raport Kuvendit.
Diskutimi për çështje të caktuar mund të përfundojë edhe me kalim të thjeshtë.
Shqyrtimi në mbledhjen e trupit punues mbahet pa marrë parasysh numrin e anëtarëve të pranishëm të trupit punues.
Trupi punues merr qëndrim me shumicë votash nga anëtarët e pranishëm, e së paku me një të tretën nga numri i përgjithshëm i anëtarëve.
Raporti përmban qëndrimin e trupit punues me arsyetim. Në raport shënohen edhe të gjitha mendimet dhe propozimet e shfaqura dhe të ndara në lidhje me çështjen e shqyrtuar në mbledhjen e trupit punues.
Kryetari i trupit punues e nënshkruan raportin dhe është përgjegjës për autenticitetin e tij.

Neni 129

Trupi punues cakton raportues. Raportues i trupit punues sipas rregullit  është kryetari, ndërkaq për pika të veçanta të rendit të ditës trupi punues mund të caktojë edhe anëtarë tjetër për raportues.
 Raportuesi nuk mund ta ndryshojë qëndrimin e trupit punues ose të heqë dorë nga ai, nëse për këtë nuk e ka autorizuar trupi punues.
                                             
Neni 130

Trupi punues amë dhe Komisioni Juridiko-Ligjvënës mund t’i propozojnë Kuvendit ta shtyjë diskutimin për çështje të caktuar.
                                             
Neni 131

Për mbledhjet e trupit punues mbahet procesverbal.
Në procesverbal shënohen emrat e anëtarëve të grupit punues që janë të pranishëm dhe të atyre që mungojnë dhe pjesëmarrësve të tjerë në mbledhje, propozimet me gojë dhe me shkrim, qëndrimet e trupit punues, rezultatet e çdo votimi, çdo mendim i veçuar, si dhe raportuesit që i ka caktuar trupi punues.
Procesverbalin e miratuar në mbledhjen e trupit punues e nënshkruajnë kryetari dhe sekretari i trupit punues.

IX. MIRATIMI I LIGJEVE DHE I AKTEVE TË TJERA

1. Ngritja e procedurës

Neni 132

Të drejtë që të propozojë nxjerrje të një ligjit ka çdo deputet në Kuvend, Qeveria dhe së paku 10.000 zgjedhës (propozues i autorizuar i ligjit).
  
Neni 133

Iniciativë për nxjerrje të ligjit, propozuesit të autorizuar mund t'i paraqesë çdo qytetar, grup qytetarësh, institucione dhe shoqata.
Iniciativa drejtuar Kuvendit u shpërndahet deputetëve dhe për këtë njoftohet paraqitësi i iniciativës.

Neni 134

Nëse propozues i ligjit është grup deputetësh, njëri nga deputetët caktohet si përfaqësues i propozuesit. Nëse ai nuk është caktuar, konsiderohet se përfaqësues i propozuesit është deputeti i parë i nënshkruar.

2. Përmbajtja e propozim-ligjit

Neni 135

Propozim-ligji përmban emërtimin e ligjit, hyrjen, tekstin e dispozitave të ligjit dhe arsyetimin.
Hyrja përmban:
- vlerësimin e gjendjes në fushën që duhet të rregullohet me ligj dhe arsyet për  miratimin e ligjit,
- qëllimet, parimet dhe zgjidhjet bazë të propozim-ligjit,
- vlerësimin  e pasojave financiare  të  propozim-ligjit mbi Buxhetin dhe mbi mjetet e tjera financiare publike, dhe
- vlerësimin e mjeteve financiare të nevojshme për zbatimin e ligjit dhe mënyrën e sigurimit të tyre, si dhe të dhëna nëse zbatimi i ligjit tërheq obligime  materiale për subjekte të caktuara.
Hyrja mund të përmbajë:
- pasqyrë normativash të sistemeve të tjera juridike dhe harmonizimin e propozim-ligjit me të drejtën e Unionit Evropian,
- pasqyrë të ligjeve që duhet të ndryshohen me miratimin e ligjit dhe normat që duhet të miratohen për zbatimin e ligjit, dhe
- pasoja të tjera që do të rezultojnë nga zgjidhjet e propozuara.
Kur propozim-ligji përmban dispozita me të cilat bëhet harmonizimi me të drejtën e Unionit Evropian, në hyrje përmenden edhe të dhëna për aktin burimor të Unionit Evropian me emër, datë dhe numër të plotë.
Me propozim-ligjin paraqitet edhe deklarata për harmonizim, nënshkrimi  i ministrit kompetent dhe nënvizimi i qartë i aktit juridik të Unionit Evropian me të cilin bëhet harmonizimi.
Arsyetimi përmban sqarimin e përmbajtjes së dispozitave të propozim-ligjit, lidhshmërinë e ndërsjellë të zgjidhjeve të përfshira në to edhe pasojat që do të rezultojnë nga zgjidhjet e propozuara.
Nëse propozim-ligji përmban dispozita që kanë fuqi prapavepruese, propozuesi është i detyruar veças t'i arsyetojë shkaqet e propozimit të tyre.
Paraqitësi i propozim-ligjit me të cilin bëhen ndryshime dhe plotësime të ligjit, propozim-ligjit ia bashkëngjitë edhe tekstin e dispozitave të ligjit ekzistues që ndryshohen, përkatësisht që plotësohen.

Neni 136

Nëse propozim-ligji nuk është përgatitur në përputhje me dispozitat e kësaj Rregulloreje, Kryetari i Kuvendit, para se t’ua shpërndajë deputetëve, do të kërkojë nga propozuesi ta harmonizojë me dispozitat e kësaj Rregulloreje. Nëse propozuesi nuk e plotëson propozim-ligjin në afat prej 15 ditësh nga kërkesa e Kryetarit të Kuvendit, konsiderohet se propozim-ligji nuk është paraqitur.
3. Paraqitja dhe dërgimi i propozim-ligjit

Neni 137

Propozim-ligji i paraqitet Kryetarit të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit menjëherë, dhe më së voni brenda tri ditësh pune nga dita e paraqitjes, ua shpërndan deputetëve, në formë të shkruar ose elektronike, me ç’rast fillon procedura ligjvënëse.
                              
Neni 138

Propozim-ligjin të cilin nuk e ka paraqitur Qeveria, Kryetari i Kuvendit do t'ia dërgojë Qeverisë për të dhënë mendim.
Nëse Qeveria nuk paraqet mendim, Kuvendi dhe trupat punues, propozim-ligjin e shqyrtojnë pa mendim.

4. Leximi i parë
4.1. Shqyrtimi i propozim-ligjit në trupat punues

Neni 139

Së paku 15 deputetë, në afat prej tetë ditësh nga dita e marrjes së propozim-ligjit, mund të parashtrojnë kërkesë që Kuvendi të mbajë diskutim të përgjithshëm.
Nëse kërkesa nga paragrafi 1 i këtij neni nuk është parashtruar, përfundon leximi i parë.

Neni 140

Para se të diskutohet për propozim-ligjin në seancën e Kuvendit, atë e shqyrton trupi punues amë dhe Komisioni Juridiko-Ligjvënës në afat prej tri ditësh para ditës së caktuar për mbajtjen e seancës së Kuvendit.
Nëse propozim-ligji përmban dispozita me të cilat angazhohen mjete financiare, propozimin mund ta shqyrtojë trupi punues në fushëveprimin e të cilit hyjnë çështjet e buxhetit dhe financave në aspekt të ndikimit të këtyre dispozitave mbi mjetet që janë në dispozicion dhe mbi burimet e mundshme për financimin e zgjidhjeve të propozuara.

Neni 141

Trupi punues amë e shqyrton propozim-ligjin nga pikëpamja e nevojës së miratimit të ligjit, parimeve mbi të cilat duhet të bazohet ligji, marrëdhënieve bazë që rregullohen me ligjin dhe mënyrën me të cilën propozohet rregullimi i tyre.
Komisioni Juridiko-Ligjvënës e shqyrton propozim-ligjin nga pikëpamja e  nevojës për nxjerrjen e ligjit dhe harmonizimit të tij me Kushtetutën.

Neni 142

Raportet e trupit punues amë dhe të Komisionit Juridiko-Ligjvënës përmbajnë mendimin nëse propozim-ligji  është i pranueshëm dhe nëse duhet të kalojë në lexim të mëtutjeshëm.
Raportet e propozim–ligjit i dërgohen Kryetarit të Kuvendit, i cili ua shpërndan të gjithë deputetëve, propozuesit të ligjit dhe Qeverisë, nëse ajo nuk është propozues.

4.2. Shqyrtimi i propozim-ligjit në seancën e Kuvendit

Neni 143

Seanca e Kuvendit për leximin e parë të propozim-ligjit mbahet në afat prej dhjetë ditësh, nga dita e marrjes së vendimit për thirrjen e seancës, por jo më shumë se 20 ditë nga paraqitja e kërkesës nga ana e së paku 15 deputetëve.

Neni 144

Pas diskutimit të përgjithshëm Kuvendi vendos nëse propozim-ligji mund të kalojë në lexim të dytë.
Nëse Kuvendi vendos se propozim-ligji është i pranueshëm dhe mund të kalojë në lexim të mëtejshëm vazhdohet me procedurën ligjvënëse.
Nëse Kuvendi vendos se propozim-ligji nuk është i pranueshëm dhe nuk mund të kalojë në lexim të mëtejshëm, procedura ligjvënëse ndërpritet. Propozim-ligji i njëjtë nuk mund të paraqitet përsëri në afat prej tre muajve.

Neni 145

Për propozim-ligjin i cili është me interes më të gjerë, Kuvendi pas diskutimit të përgjithshëm, mund të vendosë që për atë ligj të zhvillohet debat publik dhe të caktojë trup punues amë, i cili do ta organizojë debatin publik.

Neni 146

Trupi punues i cili e organizon debatin publik:
- do të kujdeset që propozim-ligji të publikohet që të jetë i arritshëm për  qytetarët, institucionet publike, entet, shoqatat e qytetarëve, partitë politike, sindikatat dhe subjektet e tjera të interesuara.
- do të sigurojë mbledhjen dhe rregullimin e mendimeve dhe propozimeve që janë parashtruar gjatë debatit publik, dhe
- do të hartojë raport për rezultatet nga debati publik.
Për kryerjen e detyrave nga paragrafi 1 i  këtij neni, trupi punues amë mund të themelojë grup të posaçëm punues.

Neni 147

Propozim-ligji që vihet në debat publik botohet në shtypin ditor, të cilin do ta përcaktojë trupi punues kompetent.
Me propozim-ligjin publikohet edhe thirrja për dhënien e mendimeve dhe propozimeve, dhe përcaktohet afati brenda të cilit ato mund të paraqiten.

Neni 148

Në bazë të mendimeve dhe propozimeve të parashtruara në debatin publik, trupi punues amë harton raport dhe ia paraqet Kuvendit së bashku me propozim–ligjin, për leximin e dytë.
    
5. Leximi i dytë
5.1. Shqyrtimi i propozim- ligjit në trupat punues

Neni 149

Leximi i dytë bëhet në trupin punues amë dhe në Komisionin Juridiko- Ligjvënës, në afat prej shtatë ditësh pune, pas seancës së mbajtur të Kuvendit. Nëse nuk mbahet seancë, trupat punues amë, mbledhjet i mbajnë pas skadimit të afatit të përcaktuar në nenin 139 të kësaj Rregulloreje.
Trupi punues amë dhe Komisioni Juridiko-Ligjvënës, i shqyrtojnë  dispozitat e propozim-ligjit dhe amendamentet e paraqitura një për një dhe votojnë për to. Trupat punues mund të paraqesin edhe amendamente të veta.

Neni 150

Propozimi për ndryshimin dhe plotësimin e propozim-ligjit paraqitet në formë të amendamentit.
Amendament mund të paraqesë çdo deputet i Kuvendit, grup i deputetëve dhe trup punues.
Amendamenti i paraqitet Kryetarit të Kuvendit në formë të shkruar dhe medoemos duhet të jetë i arsyetuar dhe i nënshkruar nga propozuesi.
Nëse amendamenti përmban dispozita me të cilat angazhohen mjete financiare, propozuesi i amendamentit është i detyruar që njëkohësisht t’i cekë burimet e mundshme për sigurimin e atyre mjeteve.

Neni 151

Amendamenti mund të paraqitet më së voni dy ditë, para mbajtjes së mbledhjes së trupit punues amë, apo të Komisionit Juridiko-Ligjvënës.
Nëse propozim-ligji propozohet që të miratohet me procedurë të shkurtuar, amendament mund të paraqitet deri në  fillimin e mbledhjes për leximin e dytë të propozim-ligjit.
Kur ligji miratohet me procedurë urgjente, amendament mund të paraqitet deri në përfundimin e diskutimit.
Me përjashtim, amendament mund të paraqitet deri në përfundimin e diskutimit të  propozim-ligjit, nëse me atë bëhet harmonizimi i dispozitave të tekstit, të cilat janë ndryshuar për shkak të miratimit paraprak të një apo më shumë amendamenteve.

Neni 152

Kryetari i Kuvendit amendamentet menjëherë ua shpërndan deputetëve, trupit punues amë dhe Komisionit Juridiko-Ligjvënës.

Neni 153

Për secilin amendament zhvillohet diskutim dhe votohet veç e veç.
Nëse për dispozitën e njëjtën të propozim-ligjit janë paraqitur dy apo më shumë amendamente të ndryshme, për amendamentet votohet sipas radhës së paraqitur.
Nëse me ndonjërin prej amendamenteve propozohet shlyerja e dispozitës së caktuar të propozim-ligjit, së pari votohet për atë amendament edhe nëse amendamenti  miratohet, nuk votohet për amendamentet e tjerë të atij neni.
Nëse për të njëjtën dispozitë janë paraqitur dy apo më shumë amendamente me përmbajtje të ngjashme, me propozim të Kryetarit, Kuvendi mund të vendosë që për amendamentet të mbahet diskutim i përbashkët, ndërsa për çdo amendament të votohet ndaras.
Parashtruesi i amendamentit mund ta ndryshojë, plotësojë, apo ta tërheqë amendamentin deri në përfundimin e diskutimit, për amendamentet e nenit për të  cilin ai ka paraqitur amendament.

Neni 154

Në rastin kur me propozim-ligj ndryshohet apo plotësohet ligji, mund të paraqiten amendamente vetëm për nenet që ndryshohen apo plotësohen me propozim-ligj.
Me përjashtim amendament mund të paraqitet, për inkorporimin e dispozitave  kalimtare dhe përfundimtare në propozim-ligj.
Nëse amendamenti i propozim-ligjit përmban dispozita me të cilat angazhohen mjete financiare, Kryetari i Kuvendit menjëherë ia kalon trupit punues, në  fushëveprimin e të cilit bëjnë pjesë çështjet e buxhetit dhe financave, që ta analizojë ndikimin e amendamentit në mjetet me të cilat disponohet dhe burimet e mundshme për financimin e zgjidhjeve  të  propozuara dhe për këtë ta njoftojë trupin punues amë dhe Komisionin Juridiko-Ligjvënës

Neni 155

Trupi punues amë dhe Komisioni Juridiko-Ligjvënës, pas përfundimit të diskutimit më së voni në afat prej pesë ditësh, e hartojnë tekstin e propozim-ligjit në të cilin inkorporohen amendamentet e miratuara (propozim i plotësuar) dhe arsyetimi.
Në arsyetim theksohen ndryshimet e zgjidhjeve  të  tekstit të  propozim-ligjit dhe propozimit plotësues, si dhe shkaqet për ato ndryshime. Nëse në propozimin plotësues ekzistojnë dispozita me fuqi prapavepruese, ato arsyetohen veças.
Nëse gjatë përgatitjes së propozimit plotësues, paraqiten dallime në qëndrimet e trupit punues amë dhe të Komisionit Juridiko-Ligjvënës, ata mbajnë mbledhje të përbashkët me qëllim të harmonizimit të qëndrimeve. Nëse trupi punues amë dhe Komisioni Juridiko-Ligjvënës nuk i harmonizojnë qëndrimet, për atë vendos Kuvendi.

5.2. Shqyrtimi i propozim-ligjit në seancën e Kuvendit

Neni 156

Në leximin e dytë në  seancën e Kuvendit zhvillohet diskutim vetëm për ato nene të propozim-ligjit, të cilët janë ndryshuar me amendamente të trupave punues dhe vetëm për ato nene mund të paraqiten amendamente.
Amendamente mund të paraqesin grupi i deputetëve, secili (një) deputet dhe propozuesi, më së voni në afat prej tre ditësh para ditës së caktuar për mbajtjen e seancës së Kuvendit.
Nëse propozim-ligji propozohet të miratohet me procedurë të shkurtuar, amendamenti mund të paraqitet deri në fillim të seancës për leximin e dytë të propozim-ligjit.
Me përjashtim, amendament mund të paraqitet deri në përfundimin e shqyrtimit të propozim-ligjit, nëse me të bëhet harmonizimi i dispozitave të tekstit,  të cilat janë ndryshuar për shkak të miratimit paraprak të një apo më shumë amendamenteve.
Kur ligji miratohet me procedurë urgjente, amendament mund të paraqitet deri në përfundimin e diskutimit.
Paraqitja dhe votimi për amendamentet në seancën e Kuvendit, bëhet në përputhje me nenet 151, 153 dhe 154, nëse me këtë Rregullore nuk është përcaktuar ndryshe.
Vetëm parashtruesi i amendamentit mund të paraqesë arsyetim dhe të flasë për  amendamentin në kohëzgjatje prej gjithsej tre minutash.
Nëse  parashtrues  të  amendamentit  janë dy ose më tepër deputetë, vetëm njëri nga parashtruesit mund të paraqesë arsyetim dhe të flasë për amendamentin në kohëzgjatje prej gjithsej tre minutash.

Neni 157

Nëse  nuk mbahet diskutim i përgjithshëm për propozim-ligjin, përfaqësuesit e grupeve të deputetëve mund ta paraqesin mendimin e grupit të deputetëve për  propozim-ligjin, në seancën e  Kuvendit në fillim të  diskutimit.
Diskutimi  nuk mundet të zgjasë më tepër se dhjetë minuta.

Neni 158

Amendamenti miratohet me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe së paku me një të tretën e numrit të përgjithshëm të deputetëve, pavarësisht nga shumica e votave të nevojshme për miratimin e ligjit, e përcaktuar  me Kushtetutë.
Amendamenti i parashtruesit të propozim-ligjit dhe amendamenti me të cilin ai është pajtuar, konsiderohet si pjesë përbërëse e propozim-ligjit.

Neni 159

Nëse trupi punues amë ose Komisioni Juridiko-Ligjvënës, vlerësojnë se propozim-ligji nuk është i pranueshëm për leximin e mëtutjeshëm, Kuvendi vendos për propozimin pa diskutim. Nëse propozimi pranohet procedura ligjvënëse ndërpritet dhe nëse nuk pranohet, trupi punues amë dhe Komisioni Juridiko-Ligjvënës vazhdojnë me leximin e dytë.
Para votimit për propozimin nga paragrafi 1 i këtij neni, propozuesi apo përfaqësuesi i tij mund të japë arsyetim plotësues, ndërsa përfaqësuesit e grupeve të deputetëve mund ta paraqesin  mendimin e grupit të tyre. Arsyetimi plotësues dhe paraqitja e  mendimit, nuk mund të zgjasin më shumë se pesë minuta.

Neni 160

Nëse miratohen amendamente të më shumë se një të tretës së neneve të propozim-ligjit të plotësuar, pas mbarimit të leximit të dytë, përgatitet dhe në mënyrë juridiko-teknike rregullohet teksti i ligjit, për leximin e tretë.
Nëse ligji është paraqitur nga Qeveria, Kuvendi, në rastin e paragrafit 1 të këtij neni, mund të vendosë që Qeveria ta hartojë tekstin e propozim-ligjit për leximin e tretë.
Nëse trupi punues amë dhe Komisioni Juridiko-Ligjvënës konstatojnë se dispozita të caktuara nga propozim-ligji, gjatë miratimit të amendamenteve në leximin e dytë, nuk janë të harmonizuara ndërmjet tyre ose nuk janë në përputhje me Kushtetutën apo me ligje të tjera, për këtë e njoftojnë Kuvendin dhe propozojnë zgjidhje të mundshme.

Neni 161

Nëse në leximin e dytë në seancën e Kuvendit janë miratuar amendamente të më pak se një të tretës së neneve të propozim-ligjit të ndryshuar, Kuvendi mund të vendosë që leximi i tretë i propozim-ligjit të mbahet në seancën e njëjtë.
Kryesuesi vendos, nëse leximi i tretë do të mbahet menjëherë pas miratimit të vendimit nga paragrafi 1 i këtij neni.

Neni 162

Nëse Kuvendi gjatë leximit të dytë nuk e miraton asnjë amendament të propozim-ligjit të plotësuar, kalohet në votim për propozim-ligjin në të njëjtën seancë.

6. Leximi i tretë

6.1. Shqyrtimi i propozim-ligjit në seancën e Kuvendit

Neni 163

Leximi i tretë i propozim-ligjit sipas rregullës mbahet në seancën e parë të radhës, pas leximit të dytë në seancë të Kuvendit. Në këtë fazë trupat punues nuk diskutojnë.

Neni 164

Gjatë leximit të tretë, Kuvendi diskuton dhe vendos vetëm për nenet e  propozim-ligjit të plotësuar, për të cilat janë paraqitur amendamente dhe vendos për propozim-ligjin në tërësi.
Gjatë leximit të tretë të propozim-ligjit, amendamente mund të paraqiten vetëm për nenet për të cilat janë miratuar amendamente gjatë leximit të dytë në seancë të Kuvendit.
Amendament mund të paraqesë propozuesi dhe deputeti, më së voni në kohëzgjatje prej dy ditëve të punës, para ditës së caktuar për mbajtjen e seancës së Kuvendit.
Shqyrtimi i amendamenteve zhvillohet në përputhje me nenin 153 të kësaj Rregulloreje.

7. Votimi dhe deklarimi në seancën e Kuvendit

Neni 165

Kryetari i Kuvendit mund ta përfundojë diskutimin për propozim-ligjin, amendamentet dhe aktet e tjera nga kompetenca  e Kuvendit, ndërsa për votimin e të njëjtëve do ta caktojë ditën dhe orën kur do të deklarohet Kuvendi.
 Kuvendi deklarohet për propozim-ligjin, amendamentet dhe aktet e tjera nga  kompetenca e Kuvendit, pa diskutim.

8. Shumica e nevojshme për miratimin e ligjeve

Neni 166

Ligjet miratohen me shumicën e votave të deputetëve, të përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe në ligj. 

9. Procedura urgjente për miratimin e ligjit

Neni 167

Me përjashtim ligji mund të miratohet edhe me procedurë urgjente.
Me procedurë urgjente mund të miratohet ligji kur kjo është e domosdoshme, për parandalimin dhe mënjanimin e çrregullimeve më  të mëdha  në ekonomi, ose kur atë e kërkojnë interesat e sigurisë dhe mbrojtjes së Republikës apo në raste të fatkeqësive më të mëdha natyrore, epidemive si dhe nevojave tjera të jashtëzakonshme dhe të paprolongueshme.
Propozimin që ligji të miratohet me procedurë urgjente, propozuesi është i detyruar ta arsyetojë.
Me propozimin që ligji të miratohet me procedurë urgjente paraqitet edhe propozim-ligji, miratimi i të cilit propozohet.

Neni 168

Për arsyeshmërinë e propozimit, që ligji të miratohet me procedurë urgjente, vendos Kuvendi pa diskutim.
Nëse Kuvendi vendos të diskutojë për propozimin, që ligji të miratohet me procedurë urgjente, e obligon trupin punues amë dhe Komisionin Juridiko-Ligjvënës ta shqyrtojnë propozim-ligjin.

Neni 169

Kur propozim-ligji shqyrtohet me procedurë urgjente, nuk mbahet diskutim i përgjithshëm. Leximi i dytë dhe i tretë  mbahen në  të njëjtën seancë. Në atë rast leximi i dytë fillon me shqyrtimin e propozim-ligjit, në përputhje me dispozitat e kësaj Rregulloreje për leximin e dytë.
Kur propozim-ligji shqyrtohet me procedurë urgjente, nuk vlejnë kufizimet kohore të kësaj Rregulloreje.
Kuvendi mund të kërkojë nga trupi punues amë dhe Komisioni Juridiko-Ligjvënës të deklarohen për amendamentet e paraqitura pas përfundimit të mbledhjeve të tyre.

10. Procedura e shkurtuar për miratimin e ligjit

Neni 170

Propozuesi i propozim-ligjit mund t’i propozojë Kuvendit, që të diskutojë për propozim-ligjin me procedurë të shkurtuar në rastin kur: 
- nuk është në pyetje ligj kompleks dhe vëllimor,
- shfuqizohet ndonjë ligj ose dispozita të veçanta të ndonjë ligji, ose
- nuk janë në pyetje harmonizime komplekse dhe vëllimore të ligjit me legjislacionin e Unionit Evropian.

Neni 171

 Nëse Kuvendi vendos të diskutojë, që propozim-ligji të miratohet me procedurë të shkurtuar, Kryetari i Kuvendit menjëherë e obligon trupin punues amë dhe Komisionin Juridiko-Ligjvënës ta shqyrtojnë propozim-ligjin.
 Kur propozim-ligji shqyrtohet me procedurë të shkurtuar, nuk mbahet diskutim i përgjithshëm.
 Leximi i dytë dhe i tretë mbahen në të njëjtën seancë. Në atë rast leximi i dytë fillon me diskutimin për propozim-ligjin në përputhje me dispozitat e kësaj Rregulloreje për lexim të dytë. Amendamente mund të parashtrohen deri në fillimin e leximit të tretë.

11. Nënshkrimi dhe shpallja e akteve

Neni 172

Teksti i ligjit nuk nënshkruhet.
Rregullat e tjera dhe aktet e përgjithshme që i miraton Kuvendi, i nënshkruan Kryetari i Kuvendit.
Aktet që i miratojnë trupat punues në mënyrë te pavarur, i nënshkruan kryetari i trupit që e ka miratuar aktin.

Neni 173

Kryetari i Kuvendit, menjëherë pas miratimit, ligjin ia dërgon Presidentit të Republikës, për nënshkrimin e  dekretit për shpalljen e ligjit.
Nëse Presidenti i Republikës vendos të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit, Kuvendi e rishqyrton ligjin në fazën e leximit të tretë, në afat prej 30 ditësh nga dita e miratimit të ligjit.
Gjatë rishqyrtimit të ligjit, amendamente mund të parashtrohen vetëm në lidhje me sugjerimet e Presidentit të Republikës.

Neni 174

Ligjet, rregullat e tjera dhe aktet e përgjithshme, para se të hyjnë në fuqi botohen në ,,Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë".
Konkluzionet e Kuvendit,  shpallen në buletinin e Kuvendit, por nëse vendos Kuvendi, edhe në "Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë".
Konkluzionet e trupave punues, nëse ata vendosin, shpallen në buletinin e Kuvendit.

12. Interpretimi autentik i ligjit

Neni 175

Kërkesë për dhënien e interpretimit autentik të ligjit mund të parashtrojë çdo deputet, Qeveria, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë, Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë, Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë, Avokati i Popullit, kryetarët e komunave dhe kryetari i Qytetit të Shkupit, nëse nevoja për interpretim autentik është paraqitur në lidhje me zbatimin e ligjeve në punën e tyre.

Neni 176

Kërkesa për dhënien e interpretimit autentik të ligjit i paraqitet Kryetarit të Kuvendit dhe përmban emërtimin e ligjit, dispozitat në të cilat kërkohet interpretimi dhe arsyet për atë.
Kërkesën për dhënien e interpretimit autentik të ligjit, Kryetari i Kuvendit ia kalon Komisionit Juridiko-Ligjvënës dhe Qeverisë.
Për kërkesën për dhënien e interpretimit autentik të ligjit, Komisioni Juridiko- Ligjvënës  mund të kërkojë mendim nga trupi punues amë i Kuvendit.
Komisioni Juridiko-Ligjvënës pasi t'i merr mendimet e Qeverisë dhe trupit punues amë, vlerëson nëse kërkesa për dhënien e interpretimit autentik është e arsyeshme.
Nëse Komisioni Juridiko-Ligjvënës vlerëson se kërkesa për dhënien e interpretimit autentik  është e arsyeshme, harton propozim për interpretim autentik dhe ia paraqet Kuvendit.
Për propozimin për interpretim autentik të ligjit dhe eventualisht për amendamentet e paraqitura, Kuvendi diskuton dhe vendos në seancën e njëjtë.
Propozimi për interpretim autentik, aprovohet me shumicën e njëjtë me të cilën miratohet ligji, të cilit i bëhet interpretimi autentik.
 Interpretimi autentik shpallet në "Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë".
Nëse Komisioni Juridiko-Ligjvënës vlerëson se kërkesa për dhënien e interpretimit autentik nuk është e arsyeshme, do t’i paraqesë raport Kuvendit i cili vendos për kërkesën. Për vendimin e Kuvendit njoftohet parashtruesi i kërkesës.

13. Procedura për përcaktimin e tekstit të spastruar të ligjit
                  
Neni 177

Nëse ligji është më shumë herë i ndryshuar ose i plotësuar dhe nëse me ligjin bëhen ndryshime dhe plotësime më të vëllimshme, propozuesi i ligjit mund të propozojë që të përcaktohet teksti i spastruar i ligjit.
Nëse vlerëson se kjo është e arsyeshme, Kuvendi me ligjin nga paragrafi 1 i këtij neni, do ta autorizojë Komisionin juridiko-ligjvënës ta përcaktojë tekstin e spastruar të ligjit dhe ta shpallë në "Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë", në afat prej 30 ditësh nga dita e botimit të ligjit për ndryshim dhe plotësim të ligjit në "Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë".
Tekstin e spastruar të ligjit e harton propozuesi i ligjit dhe ia paraqet Komisionit Juridiko-Ligjvënës për verifikim, në afat prej 15 ditësh nga dita e shpalljes së ligjit për ndryshim dhe plotësim të ligjit në "Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë".

14. Procedura për propozim-ligje pas skadimit të mandatit të legjislaturës së Kuvendit
     
Neni 178

Me skadimin e mandatit të legjislaturës së Kuvendit, përfundojnë të gjitha procedurat ligjvënëse dhe procedurat e miratimit të akteve të tjera të filluara në periudhën e mandatit.
Me përjashtim, vazhdon procedura ligjvënëse e filluar me propozimin e 10.000 zgjedhësish, e Qeverisë nëse në afat prej 30 ditësh nga zgjedhja e saj, Qeveria njofton se kjo është e nevojshme, si dhe procedurat e filluara me propozim të deputetëve të legjislaturës së mëparshme, ndërsa deputetët e kanë marrë në afat prej 30 ditësh nga konstituimi i Kuvendit.

15. Procedura për miratimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë dhe Llogarisë përfundimtare të Buxhetit

Neni 179

Propozimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë e paraqet Qeveria me dokumentacionin e nevojshëm, në përputhje me ligjin.
 
Neni 180

Për propozimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë zhvillohet diskutim sikur për propozim-ligjin në leximin e dytë, me atë që është i detyrueshëm diskutim i përgjithshëm.
Shqyrtimi i propozim Buxhetin zgjat më së shumti tri ditë.
Deputeti gjatë shqyrtimit mund të diskutojë më shumë herë në kohëzgjatje prej gjithsej 20 minutash, ndërsa koordinatori i grupit të deputetëve gjithsej 30 minuta.
Propozimin e plotësuar pas shqyrtimit në trupin punues amë dhe Komisionin Juridiko-Ligjvënës, e përgatit Qeveria.
Propozimi i plotësuar i Buxhetit paraqet tekst të ri integral, në të cilin Qeveria i ka inkorporuar amendamentet me të cilat është pajtuar dhe ndryshimet dhe plotësimet e nevojshme të propozim-buxhetit. Bashkë me propozim-buxhetin e plotësuar paraqitet edhe arsyetimi.     
 
Neni 181

Dispozitat e kësaj Rregulloreje që kanë të bëjnë me procedurën e miratimit të ligjit, zbatohen në mënyrë përkatëse edhe në procedurën për miratimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë dhe për Llogarinë përfundimtare të Buxhetit.

16. Procedura për miratimin e Rregullores së punës të Kuvendit dhe të rregullave të tjera dhe akteve e materialeve të përgjithshme   

16.1. Rregullorja e punës së Kuvendit

Neni 182

Propozim-Rregullore të punës së Kuvendit mund të parashtrojë çdo deputet dhe trupi punues amë.
Në procedurën për miratimin e Rregullores së punës të Kuvendit, në mënyrë përkatëse zbatohen dispozitat që kanë të bëjnë me paraqitjen dhe shqyrtimin e propozim-ligjit.

16.2. Deklarata, rezoluta, vendime dhe rekomandime
                                             
Neni 183

Me deklaratë shprehet qëndrimi i përgjithshëm i Kuvendit, për çështje me rëndësi të përgjithshme politike.
Me rezolutë, Kuvendi e vë në pah gjendjen, problemet dhe masat që duhet të ndërmerren në fushën e caktuar.
Me rekomandim Kuvendi jep kahe për tejkalimin e gjendjeve rrjedhëse në fushën e caktuar.

Neni 184

Të drejtën të propozojë miratim të deklaratave, rezolutave, vendimeve, rekomandimeve dhe akteve të tjera të përgjithshme ka çdo deputet, grupi i deputetëve, trupi punues dhe Qeveria.
Në procedurën për miratimin e deklaratave, rezolutave, vendimeve, rekomandimeve dhe akteve të tjera të përgjithshme, në mënyrë përkatëse zbatohen dispozitat e kësaj Rregulloreje që kanë të bëjnë me propozim-ligjin në leximin e dytë, me atë që është i detyrueshëm diskutimi i përgjithshëm.
                                                  
16.3. Shqyrtimi i analizave, raporteve, informatave dhe materialeve të tjera 

Neni 185

Kuvendi mund të shqyrtojë analiza, raporte, informata dhe materiale të tjera që janë paraqitur nga Qeveria dhe nga propozuesit e tjerë të autorizuar.
Kuvendi mund të shqyrtojë edhe informata që Qeveria ia dërgon deputetit me kërkesë të tij, nëse këtë e propozon deputeti.
Shqyrtimi për materialet nga paragrafët 1 dhe 2 të këtij neni, sipas rregullës përfundon me miratimin e konkluzionit.

17. Verifikimi dhe dhënia e pëlqimit për statute dhe akte të tjera të përgjithshme

Neni 186

Statutet dhe aktet e tjera të përgjithshme për të cilat në bazë të ligjit, Kuvendi është kompetent për t’i verifikuar ose për të dhënë pëlqim, Kryetari i Kuvendit ia kalon Komisionit Juridiko-Ligjvënës dhe trupit punues amë, ndërsa deputetët i njofton  se janë pranuar dhe se gjenden në dokumentacionin e Kuvendit.
Statutet dhe aktet e tjera të përgjithshme i dërgohen edhe  Qeverisë e cila për ato jep mendim në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit. 
                                                                                  
Neni 187

Vërejtjet e harmonizuara të trupave punues amë për statutin, respektivisht aktin tjetër të përgjithshëm, Komisioni Juridiko-Ligjvënës ia dërgon parashtruesit dhe e përcakton afatin në të cilin duhet të deklarohet për vërejtjet.
Kur trupat punues amë dhe Komisioni Juridiko-Ligjvënës pas pranimit të statutit, respektivisht aktit tjetër të përgjithshëm, do të konfirmojnë se parashtruesi ka proceduar për vërejtjet në afat prej 30 ditësh nga pranimi i aktit, Kuvendit i paraqesin raport dhe propozim-vendim për verifikim, përkatësisht për dhënien e pëlqimit për  aktin.
Kur trupi punues amë dhe Komisioni Juridiko-Ligjvënës do të verifikojnë që parashtruesi  i statutit, respektivisht i aktit tjetër të përgjithshëm nuk ka vepruar sipas  vërejtjeve, për këtë  do t’i paraqesin raport Kuvendit.

18. Procedura për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Neni 188

Ratifikimi i marrëveshjes ndërkombëtare bëhet me ligj.
 Propozim-ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare e paraqet Qeveria.
Procedurën për miratimin e ligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare, e ngrit Qeveria  me paraqitjen e propozim-ligjit për ratifikim.
Propozim-ligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare përmban tekstin e marrëveshjes ndërkombëtare, ratifikimi i të cilit propozohet.
Arsyetimi i propozim-ligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare përmban bazën kushtetuese, arsyet për të cilat propozohet ratifikimi i marrëveshjes ndërkombëtare, vlerësimin nëse marrëveshja ndërkombëtare kërkon miratimin e ligjeve të reja ose ndryshimin e ligjeve në fuqi, si dhe vlerësimin për nevojën e    angazhimit të mjeteve financiare nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë, për zbatimin e marrëveshjes ndërkombëtare.

Neni 189

Dispozitat e kësaj Rregulloreje që kanë të bëjnë me  procedurën  për shqyrtimin e propozim-ligjit me procedurë urgjente, në mënyrë përkatëse zbatohen edhe në procedurën për shqyrtimin e propozim-ligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare.
Në tekstin e marrëveshjes ndërkombëtare, nuk bëhen ndryshime dhe plotësime.

Neni 190

Ligjet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe teksti burimor i marrëveshjeve ndërkombëtare, botohen në pjesë të posaçme në “Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë” – Marrëveshje ndërkombëtare.

19. Procedura për  nismë qytetare në nivel shtetëror

Neni 191

Kryetari i Kuvendit pas marrjes së propozimit për ngritjen e nismës qytetare për nxjerrjen e ligjit, për shpalljen e referendumit në nivel shtetëror dhe për paraqitjen e propozimit për qasje për ndryshimin e Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë, menjëherë ia paraqet kryetarit të Komisionit Juridiko-Ligjvënës dhe kryetarit të trupit punues amë.
Komisioni Juridiko-Ligjvënës dhe trupi punues amë në afat prej dy ditësh pune,  Kryetarit të Kuvendit i paraqesin mendim për rregullsinë e iniciativës.

Neni 192

Nëse Kryetari i Kuvendit konstaton se nisma është në rregull, për këtë e njofton propozuesin e autorizuar, në afat prej tri ditësh nga marrja e mendimit nga trupat punues.
Nëse Kryetari i Kuvendit konstaton se nisma nuk është në rregull, çështjen në lidhje me nismën e paraqet  në rendin e ditës në seancën e parë të radhës të Kuvendit.
Kuvendi me konkluzion konstaton, nëse nisma është në rregull.
Kryetari i Kuvendit e njofton propozuesin e autorizuar për konkluzionin e Kuvendit, në afat prej tri ditësh.

X. PROCEDURA PËR NDRYSHIMIN E KUSHTETUTËS TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË

1. Propozimi për qasje në ndryshimin e Kushtetutës

Neni 193

Propozim për qasje në ndryshimin e Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë (Kushtetutës) mund të paraqesë Presidenti i Republikës, Qeveria, së paku 30 deputetë ose 150.000 qytetarë.

Neni 194

Propozimi për qasje në ndryshimin e Kushtetutës, përmban kahe konkrete për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës, dhe arsyetimin për shkaqet për të cilat propozohet ndryshimi dhe plotësimi i Kushtetutës.

Neni 195

Propozimin për qasje në ndryshimin e Kushtetutës, Kryetari i Kuvendit ua dërgon deputetëve, Presidentit të Republikës dhe Qeverisë, kur ata nuk janë paraqitës të propozimit.

Neni 196

Për propozimin për qasje në ndryshimin e Kushtetutës në seancën e Kuvendit, zhvillohet  diskutim në tërësi.
Vendimin për qasje në ndryshimin e Kushtetutës, Kuvendi e miraton me dy të tretat e shumicës së votave nga numri përgjithshëm i deputetëve.
Pas marrjes së vendimit për qasje në ndryshimin e Kushtetutës, Kuvendi me konkluzion e përcakton afatin në të cilin parashtruesi i propozimit për qasje në ndryshimin e Kushtetutës, e harton tekstin e projekt-amendamenteve të Kushtetutës.

2. Projekt-amendamentet e Kushtetutës

Neni 197

Tekstin e projekt-amendamenteve të Kushtetutës me arsyetimin, propozuesi ia paraqet Kryetarit të Kuvendit i cili ua dërgon deputetëve, Presidentit të Republikës dhe Qeverisë, kur nuk janë propozues, më së voni 30 ditë para mbajtjes së seancës së Kuvendit.

Neni 198

Diskutimi në Kuvend zhvillohet për tekstin e secilit projekt-amendament veç e veç dhe mund të jepen mendime dhe propozime.
Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, e përcakton veç e veç, secilin projekt-amendament të Kushtetutës.
Projekt-amendamentet Kuvendi i jep në debat publik.
Kuvendi e përcakton afatin për realizimin e debatit publik, mënyrën e publikimit të projekt-amendamenteve, dhe afatin brenda të cilit propozuesi si bartës i debatit publik, ia paraqet Kuvendit raportin për rezultatet e debatit publik dhe tekstin e propozim-amendamenteve të Kushtetutës.

3. Propozim-amendamentet e Kushtetutës

Neni 199

Tekstin e propozim-amendamenteve të Kushtetutës me arsyetimin dhe raportin e rezultateve nga debati publik, propozuesi ia paraqet Kryetarit të Kuvendit, i cili ua dërgon deputetëve,  Presidentit të Republikës dhe Qeverisë, më së voni 30 ditë para mbajtjes të seancës së Kuvendit.

Neni 200

Në tekstin e propozim-amendamenteve të Kushtetutës, propozuesi, çdo deputet, grup punues dhe Qeveria kur nuk janë propozues, mund të paraqesin  amendamente, më së voni tetë ditë para seancës së Kuvendit, në të cilën do të miratohen amendamentet e Kushtetutës.
Me përjashtim, amendamente në tekstin e propozim-amendamenteve të Kushtetutës, propozuesi mund të paraqesë deri në përfundimin e diskutimit, vetëm me qëllim të harmonizimit të tekstit të propozim-amendamenteve, të cilët janë ndryshuar për shkak të miratimit të ndonjë amendamenti.

Neni 201

Për  tekstin e secilit propozim-amendament të Kushtetutës, zhvillohet diskutim i përgjithshëm dhe diskutim për tekstin.
Kuvendi deklarohet veças për çdo amendament të tekstit të propozim-amendamenteve të Kushtetutës, me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
Amendamentet që i ka paraqitur propozuesi dhe amendamentet me të cilat ai është pajtuar, konsiderohen si pjesë përbërëse të tekstit të propozim-amendamentit të Kushtetutës.
Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, e verifikon propozimin për secilin amendament veças.

4. Miratimi dhe shpallja e amendamenteve të Kushtetutës

Neni 202

Amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës miratohen me shumicën e dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
Vendimin për ndryshimin e Preambulës,  të neneve të vetadministrimit  lokal, nenit 131, të cilësdo dispozite që ka të bëjë me të drejtat e pjesëtarëve të bashkësive, duke përfshirë veçanërisht nenet 7, 8, 9, 19, 48, 56, 69, 77, 78, 86, 104 dhe 109, si dhe vendimin për shtimin e cilësdo dispozite të re, që ka të bëjë me lëndën e atyre dispozitave dhe atyre neneve, Kuvendi e miraton me shumicën e dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, në të cilën medoemos duhet të ketë shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, që u përkasin bashkësive, të cilat nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë.

Neni 203

Kuvendi merr vendim për shpalljen e amendamenteve të Kushtetutës, me shumicën e dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

5. Procedura e miratimit të ligjit kushtetues për zbatimin e Kushtetutës

Neni 204

Të drejtë për të propozuar miratim të ligjit kushtetues për zbatimin e Kushtetutës ka Presidenti i Republikës, Qeveria dhe  së paku 30 deputetë.
Dispozitat e kësaj Rregulloreje që kanë të bëjnë me paraqitjen  dhe shqyrtimin e ligjit në leximin e dytë, në mënyrë përkatëse zbatohen edhe në procedurën e miratimit të ligjit kushtetues.
Ligji kushtetues miratohet me shumicën e dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
Kuvendi merr vendim për shpalljen e ligjit kushtetues me shumicën e dy të tretave të votave nga numrit i përgjithshëm i deputetëve.


XІ. PROPOZIM PËR NGRITJE TË PROCEDURËS PËR PËRCAKTIMIN E PËRGJEGJËSISË TË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS

Neni 205

Propozim për ngritje të procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë të Presidentit të Republikës, mund të paraqesin së paku 30 deputetë.
Propozimi, nga paragrafi 1 i këtij neni, përmban arsyetimin mbi shkaqet për të cilat ngrihet procedurë, përshkrimin dhe provat për veprimet me të cilat Presidenti i Republikës e ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet gjatë ushtrimit të të drejtave dhe detyrave të tij.
Nëse propozimi nuk është përgatitur në përputhje me paragrafin 2 të këtij neni, Kryetari i Kuvendit, para se t'ua kalojë deputetëve, do të kërkojë nga propozuesi që ta harmonizojë brenda afatit prej pesë ditësh.
Propozimin nga paragrafi 1 të këtij neni, Kryetari i Kuvendit menjëherë ua kalon deputetëve dhe Presidentit të Republikës.

Neni 206

Kuvendi në afat prej pesë ditësh, nga dita e paraqitjes së propozimit, formon komision për vlerësimin e bazës së propozimit.
Komisioni ka kryetar dhe dhjetë anëtarë, të cilët me propozim të Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve i zgjedh Kuvendi, me ç’rast sigurohet përfaqësim adekuat i deputetëve të grupeve të deputetëve dhe i deputetëve që nuk janë të organizuar në grupe të deputetëve.
Komisioni në afat prej shtatë ditësh nga dita e themelimit, i paraqet raport  Kuvendit.

Neni 207

Kryetari i Kuvendit menjëherë e njofton Presidentin e Republikës, për themelimin e Komisionit nga neni 206 i kësaj Rregulloreje.
Presidenti i Republikës, Komisionit mund t’i paraqesë deklaratë me shkrim, për provat nga propozimi për ngritjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë.

Neni 208

Raportin e Komisionit, Kryetari i Kuvendit menjëherë ua dërgon deputetëve dhe Presidentit të Republikës, dhe thërret seancë  të Kuvendit, që do të mbahet më së voni shtatë ditë nga dita e paraqitjes së raportit.

Neni 209

Për propozimin nga neni 205 paragrafi 1 i kësaj Rregulloreje, dhe për raportin e Komisionit, Kuvendi zhvillon diskutim.
Të drejtën që ta arsyetojë propozimin, e ka njëri nga deputetët, të cilët e kanë paraqitur propozimin.
Të drejtën që ta arsyetojë raportin e Komisionit, e ka kryetari ose anëtari i Komisionit.
Presidenti i Republikës, me shkrim ose me gojë, në seancë mund të deklarohet  për konstatimet nga propozimi dhe për raportin e Komisionit.

Neni 210

Kuvendi vendos për ngritje të procedurës për përcaktimin  e përgjegjësisë së Presidentit të Republikës, me shumicën e dy të tretave të votave nga numri i  përgjithshëm i deputetëve.
Vendimin për ngritjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë së Presidentit të Republikës, Kryetari i Kuvendit menjëherë ia dërgon Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë dhe Presidentit të Republikës.

XII. MARRËDHËNIET ME QEVERINË

Neni 211

Qeverinë në Kuvend e përfaqëson Kryetari i Qeverisë.
Përfaqësuesit të cilët Qeveria i ka caktuar në Kuvend dhe në trupat punues, marrin pjesë në punimet e Kuvendit dhe të trupave punues dhe i paraqesin qëndrimet  e Qeverisë.

Neni 212

Të besuarit të cilët Qeveria i ka caktuar, marrin pjesë në mbledhjen e trupit punues dhe  japin njoftime dhe sqarime për çështjet e rendit të ditës.

Neni 213

Kuvendi ushtron kontroll politik dhe mbikëqyrje mbi Qeverinë, në mënyrë dhe procedurë të përcaktuar me Kushtetutë dhe me këtë Rregullore.

1. Mocioni i besimit të Qeverisë 

Neni 214

Mocion për besimin e Qeverisë mund të paraqesin së paku 20 deputetë.
Mocioni  për besimin e Qeverisë paraqitet me shkrim dhe medoemos duhet të jetë i arsyetuar.
Mocion për besimin e Qeverisë, mund të paraqesë edhe Kryetari i Qeverisë me shkrim ose gojarisht në seancën e Kuvendit.
Mocionin për besimin e Qeverisë, Kryetari i Kuvendit menjëherë ua dërgon deputetëve, Qeverisë dhe Presidentit të Republikës, e kur mocionin për besim të Qeverisë, Kryetari i Qeverisë e paraqet me gojë në seancën e Kuvendit, Kryetari i Kuvendit menjëherë e njofton Presidentin e Republikës.
Mocioni për besimin e Qeverisë mund të tërhiqet deri në fillim të seancës së Kuvendit, në të cilën do të debatohet për mocionin e besimit të Qeverisë.

Neni 215

Për mocionin e parashtruar për besimin e Qeverisë, Kryetari i Kuvendit  menjëherë thërret seancë. Seanca mbahet në ditën e tretë nga dita e paraqitjes së mocionit për besimin e Qeverisë.
Afati nga paragrafi 1 i këtij neni  fillon të rrjedhë në ditën e ardhshme, nga dita e paraqitjes së mocionit për besimin e Qeverisë.

Neni 216

Për  mocionin e  paraqitur për besimin e Qeverisë mbahet diskutim.
Të drejtën që ta arsyetojë mocionin për besimin e Qeverisë e ka njëri nga deputetët, të cilët e kanë paraqitur mocionin në kohëzgjatje prej më së shumti 30 minutash.
Radhitja e deputetëve sipas grupeve të deputetëve dhe deputetëve të cilët nuk janë të organizuar në grupe të deputetëve, e të cilët do të marrin pjesë në diskutim  përcaktohet në marrëveshje të Kryetarit të Kuvendit me koordinatorët e grupeve të deputetëve para fillimit të seancës.
Deputeti gjatë diskutimit mund të flasë më shumë herë në kohëzgjatje prej gjithsej 15 minutash, ndërsa koordinatori i grupit të deputetëve gjithsej 20 minuta.

Neni 217

Kuvendi voton për mosbesimin e Qeverisë pas skadimit të ditës së tretë, nga dita e paraqitjes së mocionit për besim.
Në rastin kur mocionin për besimin e Qeverisë, Kryetari i Qeverisë  e paraqet gojarisht në seancën e Kuvendit, Kuvendi voton për besimin e Qeverisë në seancën e njëjtë, pa diskutim.
Kryetari i Qeverisë edhe para votimit, ka të drejtë që t’i drejtohet Kuvendit.
 
Neni 218

Nëse Qeverisë i është votuar mosbesim, Kryetari i Qeverisë ia paraqet dorëheqjen Kuvendit, në afat prej 24 orësh nga votimi i mosbesimit.
Për votimin e mosbesimit ndaj Qeverisë dhe për paraqitjen e dorëheqjes, Kryetari i Kuvendit menjëherë e njofton  Presidentin e Republikës.

2. Dorëheqja e Qeverisë

Neni 219

Qeveria, Kryetari i Qeverisë ose anëtari i Qeverisë mund të japin dorëheqje.
Dorëheqja e Qeverisë ose e Kryetarit të Qeverisë, i paraqitet Kryetarit të Kuvendit në formë të shkruar dhe mund të arsyetohet.
Dorëheqja e anëtarit të Qeverisë i paraqitet Kryetarit të Kuvendit, përmes Kryetarit të Qeverisë.
Dorëheqjen e Qeverisë ose të Kryetarit të Qeverisë, Kryetari i Kuvendit menjëherë ua dërgon deputetëve dhe Presidentit të Republikës.
Dorëheqjen e anëtarit të Qeverisë, Kryetari i Kuvendit menjëherë ua shpërndan deputetëve.

Neni 220

Kuvendi në seancën  e parë të radhës, pa diskutim, konstaton që Kryetarit të  Qeverisë, Qeverisë ose anëtarit të Qeverisë, u pushon mandati në ditën e mbajtjes së  seancës.

3. Shkarkimi  
                                  
Neni 221

Propozimin për shkarkim të anëtarit të Qeverisë, Kryetari i Qeverisë ia paraqet  me shkrim Kryetarit të Kuvendit dhe mund ta arsyetojë.
Për propozimin për shkarkimin e anëtarit të Qeverisë, Kuvendi vendos në seancën e parë të radhës pa diskutim.
Për propozimin për shkarkim, Kuvendi mund të vendosë të hapë diskutim. Propozim për të hapë diskutim mund të paraqesin grupi i deputetëve ose së paku pesë deputetë.
Anëtari i Qeverisë të cilit i është paraqitur propozimi për shkarkim, mund të deklarohet për propozimin në kohëzgjatje prej 15 minutash.

Neni 222

Propozimi i Kryetarit të Qeverisë për shkarkimin e më shumë se një të tretën e anëtarëve të Qeverisë, i paraqitet Kryetarit të Kuvendit.
Për  propozimin nga paragrafi 1 i këtij neni, Kuvendi vendos si për zgjedhjen e Qeverisë së re.

XIII. BASHKËPUNIMI NDËRKOMBËTAR I KUVENDIT

Neni 223

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë për realizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, themelon delegacione të përhershme në asambletë ndërkombëtare parlamentare, anëtar i të cilave, përkatësisht anëtar shoqërues është Kuvendi, grupe të deputetëve për bashkëpunim me parlamentet tjera, si dhe mund të themelojnë edhe grupe punuese të përziera me parlamente të tjera, organizata dhe institucione ndërkombëtare parlamentare, delegacione të përkohshme dhe forma tjera për bashkëpunim.
Delegacionet, trupat punuese, grupet parlamentare për bashkëpunim, grupet punuese të përziera dhe deputetët, për aktivitetet e realizuara ndërkombëtare, i paraqesin raport Kryetarit të Kuvendit, i cili ua shpërndan deputetëve, ose sipas nevojës edhe organeve dhe institucioneve të tjera shtetërore.

Neni 224

Planifikimi i bashkëpunimit ndërkombëtar i Kuvendit realizohet në kuadër të aktiviteteve kalendarike të organizatave dhe institucioneve në të cilat aderon ose me të cilat bashkëpunon Kuvendi, si dhe në bazë të interesave të shprehura dhe të harmonizuara për bashkëpunim bilateral.

XIV. PUBLICITETI NË PUNËN E KUVENDIT

Neni 225

Kuvendi e siguron informimin e publikut për punimet e Kuvendit dhe të trupave punues, si dhe të delegacioneve të përhershme në organizatat ndërkombëtare.

Neni 226

Qytetarët e interesuar mund të marrin pjesë në seancat e Kuvendit, në përputhje me rregullat e rendit të brendshëm të Kuvendit.

Neni 227

Përfaqësuesit e mjeteve të informimit publikë, në përputhje me rregullat e rendit të brendshëm të Kuvendit, mund të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe në mbledhjet e trupave punues me qëllim të informimit të publikut për punën e tyre.

Neni 228

Përfaqësuesve të mjeteve të informimit publikë u vihen në dispozicion aktet që i shqyrton dhe i miraton Kuvendi, materialet informative dhe dokumentuese për çështjet që shqyrtohen në Kuvend dhe në trupat punues, raportet e punës së trupave punues dhe procesverbalet e mbledhjeve, përveç nëse Kuvendi, përkatësisht trupi punues ka vendosur që çështje e caktuar të shqyrtohet pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të  mjeteve të informimit publikë.

Neni 229

Mënyra e realizimit të të drejtave, detyrave dhe përgjegjësive të përfaqësuesve të mjeteve të informim publikë në Kuvend, rregullohet me akt që e miraton  Kryetari i Kuvendit.

Neni 230

Kuvendi dhe trupat punues kompetentë mund të vendosin që propozim-ligji ose propozim-akti tjetër i përgjithshëm që shqyrtohet në Kuvend, dhe i cili është me interes të veçantë për publikun, të shpallet nëpërmjet shtypit ose në botim të veçantë.

Neni 231

Kuvendi dhe trupat punues mund të vendosin, me qëllim të njoftimit të publikut për punimet e Kuvendit, të lëshohet komunikatë për mjetet e informimit publik, pas seancës së Kuvendit ose mbledhjes të trupit punues që është mbajtur pa praninë e publikut, përkatësisht pa praninë e përfaqësuesve të mjeteve të informimit publik, si dhe në raste të tjera kur për atë do të vendosë Kuvendi ose trupi punues.

Neni 232

Konferenca për shtyp në lidhje me punën e Kuvendit, mbahet kur për këtë vendos Kryetari i Kuvendit, grupi i deputetëve, trupi punues ose shefi i delegacionit i cili ka qëndruar jashtë shtetit, të cilët e caktojnë edhe përfaqësuesin që do ta mbajë konferencën për shtyp.

Neni 233

Kuvendi ka ueb faqen në të cilën futen të dhënat e përgjithshme për Kuvendin, trupat punues, Kryetarin e Kuvendit, deputetët, grupet parlamentare, delegacionet e  Kuvendit, ligjet e miratuara, seancat dhe aktivitetet e tjera të Kuvendit, për Shërbimin e Kuvendit dhe të dhëna të tjera në lidhje me organizimin dhe punën e Kuvendit.

Neni 234

Me qëllim të informimit për punën e vet, Kuvendi boton buletin dhe publikime të tjera.
Buletini u dërgohet  të gjithë deputetëve të Kuvendit, dhe publikohet në ueb faqen e Kuvendit.


XV. SHËRBIMI I KUVENDIT

Neni 235

Punët profesionale dhe punët e të tjera për nevojat e Kuvendit, të trupave punues dhe të deputetëve, i  kryen Shërbimi i  Kuvendit (Shërbimi).
Organizimi dhe detyrat e Shërbimit përcaktohen me akt, që e miraton Kuvendi në përputhje me ligjin dhe këtë Rregullore.
Me Shërbimin udhëheq Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit.

Neni 236

Mbajtjen e rendit në godinën e Kuvendit dhe në ambientet në të cilat punon Kuvendi, e siguron shërbimi i veçantë.
Personat zyrtarë të autorizuar të organeve të administratës shtetërore, pa lejen  e Kryetarit të Kuvendit, nuk  mund të kenë qasje në ambientet nga paragrafi 1 i këtij neni, as të ndërmarrin masa ndaj deputetëve, punonjësve të Shërbimit dhe ndaj qytetarëve të tjerë.
Mbajtja e armëve në godinën e Kuvendit nuk lejohet, përveç personave të autorizuar për mbajtjen e rendit në godinën e Kuvendit.

XVI. DISPOZITA  KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 237

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, është i detyruar që më së voni në afat prej 60 ditësh, nga dita e hyrjes në fuqi të kësaj Rregulloreje, t’i hartojë rregullat për organizimin dhe fushëveprimin dhe për sistematizimin e vendeve të punës të Shërbimit dhe t’ia paraqesë Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, për të dhënë mendim.

Neni 238

Deri në fillimin e zbatimit të Kreut IX-Miratimi i ligjeve dhe i akteve të tjera të kësaj Rregulloreje, për të gjitha propozimet e paraqitura për miratimin e ligjeve, propozim-ligjeve dhe akteve të tjera, do të zbatohet Kreu X-Miratimi i ligjeve dhe i rregullave të tjera të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë (“Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë” numër 60/2002).

Neni 239

Me ditën e hyrjes në fuqi të kësaj Rregulloreje, pushon të vlejë Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë (“Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë” numër 60/2002), përveç dispozitave të Kreut  X-Miratimi i ligjeve dhe i rregullave të tjera, që do të zbatohen tre muaj pas ditës së hyrjes në fuqi të kësaj Rregulloreje.

Neni 240

Kjo Rregullore hyn në fuqi, me ditën e botimit në “Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë”, ndërsa dispozitat e Kreut IX-Miratimi i ligjeve dhe i akteve të tjera, do të fillojnë të zbatohen, pas tre muajsh nga dita e hyrjes së saj në fuqi.
    

KUVENDI I REPUBLIKËS SË MAQEDONISË


Numër 07-2955/1                                                                                      KRYETAR
18 korrik 2008                                                                                           I KUVENDIT TË
Shkup                                                                                                        REPUBLIKËS SË MAQEDONISË          
                                                                                                                  Trajko Veljanoski