Delegacione



E mërkurë , 14 dhjetor 2011

BOTIMI FESTIV I BULETINIT TË KPP-SË

Në vigjilje të festave të krishtlindjes dhe të vitit të ri, Buletini i KPP-së e shënon përvjetorin e dytë që nga publikimi i botimit të tij të parë. Në botimin aktual, bashkëkryesuesi i KPP-së, z.  Kenan Hasipi, së bashku me bashkëkryesuesit, z. Andrej Petrov dhe znj. Ermira Mehmeti Devaja, me kartolinë për festën e vitit të ri u adresuan te eurodeputetët dhe kolegët në Parlamentin Evropian. 

"Edhe përveç faktit që vijmë nga parti të ndryshme politike nga partia në pushtet dhe opozita dhe përveç asaj që u përkasim etnikumeve të ndryshme, jemi të bashkuar në dëshirën për të vazhduar me realizimin e reformave të nevojshme dhe për ta avancuar procesin e integrimit të Kuvendit dhe të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Marrja e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE mbetet edhe më tutje prioritet i shtetit tonë, qytetarëve dhe i të gjithë partive politike në vend. Sinqerisht shpresojmë se rekomandimi i përtëritur i Komisionit Evropian këtë vit do të merret parasysh në samitin e ardhshëm të Këshillit të Bashkimit Evropian, me çka Maqedonia do të mund të hyjë në fazën e fundit të eurointegrimit të saj dhe se ne si deputetë nga të dy parlamentet, bashkërisht do të punojmë në realizimin sa më të shpejtë të atij qëllimi", theksohet në kartolinën dërguar eurodeputetëve. 

Në pjesën e aktiviteteve të Kuvendit lidhur me procesin e eurointegrimeve, u paraqit vizita e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Trajko Veljanoski, në Mbretërinë e Bashkuar dhe takimet me kolegët në të dy dhomat e Parlamentit Britanik, ku qartë u shpreh përkrahja të cilën Mbretëria e Bashkuar ia jep Republikës së Maqedonisë në procesin e aderimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe kënaqësia për bashkëpunimin e deritanishëm parlamentar. Gjithashtu, u paraqitën edhe të dy vizitat e Delegacionit të Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në Parlamentin Evropian dhe takimet me eurodeputetët në Parlamentin Evropian, si dhe takimi bilateral me Komisionin për Çështje Evropiane në Dhomën përfaqësuese të Parlamentit të Belgjikës, ku u shpreh përkrahja e tyre për Republikën e Maqedonisë në miratimin e standardeve evropiane në procesin e aderimit në BE.

Numrin e fundit të Buletinit, si dhe atë të botuara më herët, mund t'i lexoni në adresën në vijim:
http://www.sobranie.mk//mpk.nspx

ndërsa për informata më të hollësishme për aktivitet e KPP-së, klikoni linkun në vijim:
http://www.sobranie.mk/default.asp?ItemID=B052DC5680964D41A79CCA558F2A68E4 

 

Click