Delegacione



E mërkurë, 17 tetor 2012

BOTIMI I NJËZETEPESTË I BULETINIT KPP RM-BE

Botimi i njëzetepestë i Buletinit të Komitetit të Përzier Parlamentar - Republika e Maqedonisë dhe Bashkimi Evropian (KPP - RM dhe BE) i përfshin aktivitetet e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në muajin shtator 2012. Ngjarje kryesore është takimi i eurokomisarit për zgjerim dhe politikë të fqinjësisë, z. Shtefan Fule në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë para mbajtjes së mbledhjes lidhur me Dialogun paraaderues të nivelit të lartë (HLLAD) në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë. 

Komisari Fule e përshëndeti rolin aktiv të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në procesin, si dhe punën e Këshillit Nacional për Eurointegrime i cili siguron përfshirje të plotë dhe unitet në shtetin. Lidhur me HLLAD, Komisari Fule theksoi se procesi ka sjellë rezultate të mira të cilat kanë iniciuar reforma në sferat kryesore dhe se mbledhja e fundit paraqet lidhje ndërmjet Raportit për progresin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2012 dhe vendimit të vendeve-anëtare të Këshillit Evropian në dhjetor të këtij viti. Në fund, komisari Fule theksoi se HLLAD në tërësi është një tregim i suksesshëm.

Në Buletinin vend të rëndësishëm zë pjesëmarrja e kryetarit Veljanoski në konferencën e kryetarëve të parlamenteve në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës në Strazbur dhe fjalimet e tij në dy tema të rëndësishme: "Ardhmëria e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut: roli i parlamenteve nacionale" ku ndër të tjerash, kryetari Veljanoski theksoi se për shtete me përbërje multietnike, multikonfesionale dhe multikulturore, siç është Republika e Maqedonisë, mbrojtja e të drejtave të komuniteteve etnike është indikator i rëndësishëm për shkallën e zhvillimit të demokracisë, si dhe për pajtimin me standardet dhe vlerat evropiane. Barabarësia e komuniteteve etnike te ne është inkorporuar thellë në sistemin tonë kushtetues dhe legjislativ me ç'rast implementohet Marrëveshja kornizë e Ohrit, e miratuar me përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar. Lidhur me temën "Vallë demokracia reprezentative është në krizë? Sfida për parlamentet nacionale", kryetari Veljanoski e citoi definicionin e Abraham Linkolnit për demokracinë si "sundim i popullit, nga populli dhe për popullin", që në kushte të demokracisë parlamentare do të thotë "sundim i përfaqësuesve popullorë", por sipas dëshirës së popullit, me ç'rast shpie në idenë esenciale të demokracisë se qytetarët duhet të kanë të drejtën të caktojnë dhe vendosin kush do të sundojë me popullin. Në atë kuptim, qytetarët besojnë në demokracinë dhe presin nga përfaqësuesit e tyre që t'i plotësojnë pritjet e tyre.

Mes të tjerash është paraqitur edhe debati publik i Këshillit Nacional për Eurointegrime për miratimin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për polici, në të cilin u dhanë mendime se Ligji për polici është një ligj veçanërisht i rëndësishëm dhe për ndryshimet e tij nevojitet debat i thelluar dhe analizë thelbësore dhe precizim më të qartë të dispozitave të ligjit të cilat kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. 

Gjithashtu, është dhënë një pasqyrë edhe mbi debatin publik të Komisionit për Mundësi të Barabarta të Grave dhe Burrave të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për "Planin aksionar nacional për implementimin e Rezolutës 1325 të Këshillit për sigurinë e BE-së" (draft-version), me ç'rast u miratua konkluzion që në punën e grupit punues ndërresorial të merr pjesë anëtar i Komisionit për Mundësi të Barabarta të Grave dhe Burrave të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe të ketë rol më të madh ndërmjetësimi të grave në parandalimin dhe menaxhimin e konflikteve në vend dhe rajon.

Numrin e fundit të Buletinit, si dhe botimet e mëparshme, mund t'i lexoni në adresën në vijim:
http://www.sobranie.mk/?ItemID=CE34543E8A02C145AEDBFA3FCA5837CE

ndërsa për më shumë informata rreth aktiviteteve të KPP, klikoni në linkun e mëposhtëm:
http://www.sobranie.mk/?ItemID=B052DC5680964D41A79CCA558F2A684

Click